E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikanët dyndin paditë në dyert e drejtwsisë

Kriza politike mes mazhorancës dhe opozitës është zhvendosur nga sheshet dhe ekranet në prokurori e gjykatë. Pas një beteje të gjatë me akuza dhe kundërakuza, me sulme personale për afera korruptive, PD e PS e kanë çuar luftën e tyre në dyert e drejtësisë shqiptare. Me dhjetëra denoncime, padi e kallëzime penale janë bërë nga të dyja palët, të cilat kanë në qendër Sali Berishën dhe Edi Ramën, ku mazhoranca kërkon që drejtësia të zbardhë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në kryeqytet, ndërsa lideri i opozitës kërkon që të përgënjeshtrohen jo vetëm këto akuza që lidhen me detyrën e tij si kryetar i bashkisë, por edhe deklaratat e Kryeministrit për jetën dhe familjen.

Vetëm në 48 orët e fundit, në dyert e prokurorisë kanë mbërritur tre kallëzime, dy nga mazhoranca që akuzojnë Ramën për lejet e ndërtimit dhe një nga kryetari i opozitës, i cili ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Kryeministrit për ato që ai i konsideron fyerje mbi të dhe familjen e tij. Por këtyre tre padive u kanë paraprirë thuajse dhe 20 padi të tjera nga të dyja palët, ku duket se njëra i përgjigjet tjetrës, duke "kërcënuar" me hetim nga ana e organeve të drejtësisë. Sakaq, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka firmosur vetëm një padi në prokurori, ku i thuhet organit të akuzës që t‘i kërkojë Kuvendit të verifikojë deklaratat e Kryeministrit. Ndërsa disa ditë më parë, nëna e Ramës ka dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë një tjetër padi, ku pohon se ajo çfarë ka thënë Kryeministri kundrejt saj nuk është e vërtetë. Më tej, i kërkohet gjykatës që të veprojë. Dje pasdite, Rama i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë të gjitha akuzat dhe shpifjet e mazhorancës. "I rikërkoj publikisht Prokurores së Përgjithshme që hetimi për këtë shpifje dhe për të gjitha shpifjet e kallëzuara, edhe publikisht, të mos zvarriten por të hetohet pa humbur kohë në radhë të parë për të mirën e publikut në këto kohë të vështira për vendin", u shpreh Rama. Shumica e padive janë bërë nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Transporteve. Kryesisht paditë e bashkisë prekin Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin Sokol Olldashi, por edhe Partinë Demokratike. Nga këto subjekte është kërkuar përgënjeshtrim i shpifjeve dhe kërkohet zhdëmtim për cenimin e dinjitetit. Njëkohësisht Bashkia e Tiranës ka dorëzuar pesë kallëzime penale ndaj Kryeministrit Berisha, deputetit Aldo Bumçi si dhe ndaj dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Tiranës e kryeinspektorit të Inspektoratit Urbanistik Kombëtar. Bashkia e Tiranës ka akuzuar Kryeministrin Berisha për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës te "Tajvani", si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit "në kundërshtim me ligjin". Për të njëjtën akuzë, është kallëzuar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi.

Kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli, është akuzuar për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, në lidhje me vendimin për prishjen e objektit 12-katësh, datë 7.12.2009. Edhe PD është përgjigjur me kallëzime penale ndaj Ramës, por edhe kryebashkiakut të Durrësit, i cili sipas MPTT-së akuzohet se ka lejuar ngritjen e një pallati 21-katësh pa lejen e nevojshme. Edhe dje, deputeti demokrat, Gent Strazimiri, bëri të ditur dorëzimin e një padie në lidhje me lejet e ndërtimit. Ndërkohë që Rama ka udhëzuar të gjithë deputetët e Partisë Socialiste që janë prekur nga deklaratat e Kryeministrit, si Valentina Leskaj, Dashamir Peza, Fidel Ylli etj., që të bëjnë padi tek organet e drejtësisë dhe ta detyrojë atë që të përgënjeshtrojë akuzat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›