"Të burgosurit komandojnë me celular"
Regjimi në burgjet shqiptare duhet të jetë më i ashpër. Kjo ishte detyra që Kryeministri Berisha, u la dje përfaqësuesve të sigurisë në vend gjatë një mbledhjeje të Komitetit Këshillimor për masat kundër krimit të organizuar. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në Kryeministri, Berisha theksoi se nuk mund të tolerohet që krerët e organizatave kriminale të arrijnë të drejtojnë nga burgu ende kriminelët. Sipas Berishës, qeveria nuk mund t‘ju lejojë kriminelëve që të bëjnë pushime në institucionet e vuajtjes së dënimit. "Është i domosdoshëm që regjimi në burgje i klaneve mafioze të ndryshojë. Duhet të ketë regjim të rreptë, sepse në qoftë se ne i lëmë ata të komandojnë nga burgjet klanet e tyre, ne thjesht u kemi siguruar atyre pushime", kërkoi Berisha në mbledhjen e djeshme, duke theksuar se nuk mund të toleroheshin celularët në ambientet e burgut. Sipas Berishës, si model për regjimin e rreptë të burgjeve do të merrej ai italian, i cili është përcaktues në luftën kundër vijimësisë së krimeve nga qelitë e burgjeve. Por Kryeministri konstatoi se është e rëndësishme që rreptësia të lejohet deri aty ku nuk cenohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Në mbledhjen e djeshme të këshillit, Kryeministri theksoi se kjo është mbledhja e fundit, nisur nga fakti se pas hyrjes në fuqi të ligjit "Antimafia", lufta kundër krimit të organizuar do të hyjë në fazë të re, e cila ka si qëllim edhe reformimin e institucioneve. Në këtë kuadër, Kryeministri lajmëroi edhe ngritjen e një këshilli të përbërë nga ekspertët më të mirë, i cili do të këshillojë qeverinë mbi zbatimin me korrektesë, vendosmëri, të ligjit të ri "Antimafie". Me rastin e ngritjes së kësaj strukture të re, Kryeministri theksoi se do të rekrutohen ekspertët më të mirë nga fushat e sigurisë, në mënyrë që lufta ndaj krimit të organizuar të njohë një dimension të ri. Në kuadër të masave kundër krimit, Berisha theksoi se ishte e udhës që të kihej parasysh edhe përmirësimi i transparencës për sa i përket shërbimeve noteriale në të gjithë vendin. Po kështu, Kryeministri deklaroi se goditja e krimit ekonomik ishte një nga sfidat e ardhshme të qeverisë për sa i përket luftës totale kundër krimit të organizuar. "Është bërë një betejë ë shkëlqyer, e suksesshme, por ekonomia e mafies dhe mafia është problem më kryesor, me të cilin ne duhet të përballemi me zero tolerancë", vuri në dukje Berisha. Berisha foli në mbledhjen e djeshme edhe për plotësimin e legjislacionit për sa i përket luftës ndaj krimit. Këtu Berisha përmendi edhe nevojën për zgjatjen e moratoriumit për skafet në një kohë të pakufizuar. "Ky moratorium, mendoj se është e panevojshme të zgjatet vetëm 3 vjet, por duhet të vendoset për një kohë të pacaktuar", deklaroi Berisha, duke shtuar se në këtë mënyrë qeveria kursen edhe shtimin e stafit të rojave bregdetare. Po kështu, Berisha foli për një amendim për ligjin e Shërbimit Informativ, në mënyrë që të përshtatet për antimafien. Kryeministri theksoi se edhe agjencitë e krijuara për luftën kundër krimit, do të pësojnë ndryshime si në strukturën dhe si në legjislacionin që i krijon ato. Në mbledhjen e djeshme të mbajtur në Kryeministri, merrte pjesë edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.