E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: Pavarësia e gjyqësorit nuk është luks

Presidenti Bamir Topi mori pjesë dje në Konferencën "10 breza magjistratësh të diplomuar ndër vite në Shkollën e Magjistraturës". Topi vuri në dukje faktin se "pavarësia e sistemit të drejtësisë është një gur themeltar për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, është thelbësore në realizimin e vlerave më të mira të demokracisë, është standard pa të cilin, asnjë institucion dhe jo vetëm ato të drejtësisë, nuk mund t‘i shërbejnë ashtu siç duhet Shqipërisë". Si dhe herë të tjera, kryetari i shtetit theksoi se "kjo pavarësi nuk do të thotë vendimmarrje sipas dëshirës apo interesave. Kjo do të ishte e kundërta dhe mohim i pavarësisë". Në të njëjtën kohë, Presidenti nënvizoi se "arritja e pavarësisë është e vështirë, është një sfidë që duhet përballuar nga e gjithë shoqëria shqiptare dhe jo vetëm nga gjyqtarët dhe prokurorët". "Mendoj se është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i të gjithëve ne, shtetarëve dhe qytetarëve, funksionarëve dhe kujtdo tjetër që jeta dhe puna e lidh me sistemin e drejtësisë, me idenë se pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk është luks i tepërt për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk është favor për të mbuluar mungesën e profesionalizmit, apo fenomenet negative që errësojnë shpesh dhënien e drejtësisë", u shpreh kryetari i shtetit. Atë apel që kam bërë para zgjedhjeve të 28 qershorit, tha ai, duke u kërkuar partive politike që në mënyrë të drejtpërdrejtë, si një detyrim paraelektoral të mbështesin vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë. "Duke parashikuar që me ligjin e ri elektoral, formacioneve politike në Parlament, ndoshta nuk do t‘u jepej shansi që të merrnin kontingjentin e duhur për të bërë votime të cilësuara", tha Topi. Duke e parashikuar këtë gjë, vijoi Topi, unë kërkova që të kishte vazhdimësi nga partitë politike, gjë që nuk e kanë bërë. "Sot kam rastin që në këtë jubile të rëndësishëm, kur flasim për kualifikimin e sistemit të drejtësisë, kur flasim për promovimin e vlerave intelektuale e profesionale për të ardhmen e sistemit të drejtësisë, i bëj thirrje politikës që t‘i japë jetë vazhdimësisë së reformave në fushën e drejtësisë", theksoi Topi. Vetëm në këtë mënyrë, shtoi ai, do të ketë një përputhje midis një politike vizionare që përfaqësohet në standardet më të larta të vendeve demokratike europiane, por që bën të mundur dhe rritjen e performancës së gjyqtarëve, rritjes së punës së prokurorisë, të kompozicionit, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të dalë në një stad të ri që njerëzit të kenë besim te gjyqtari, të kenë besim te drejtësia për të gjitha çështjet që ngrenë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›