Niset në qeveri projektligji për policët e vrarë
Ministri i Brendshëm u premton fëmijëve të policëve të vrarë se shumë shpejt do të miratohet ligji për mbrojtjen e tyre nga ana financiare, derisa të arrijnë moshën 18 vjeç. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, bëri të ditur përgatitjen e një projektligji të ri, në ndihmë të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të rënë në krye të detyrës. Këtë premtim, Basha e ka bërë në sy të fëmijëve të "Dëshmorëve të Atdheut", të cilët ishin mbledhur me rastin e festave të fundit të vitit. "Sot është nisur nga Ministria e Brendshme për mendim në ministritë e tjera të linjës dhe së shpejti do të jetë në qeveri, një projektligj që do ta miratojë Kuvendi i Shqipërisë, me të cilin do t‘i jepet trajtimi çdo familjeje derisa çdo fëmijë i familjes të arrijë moshën 18-vjeçare sikur punonjësi, oficeri i policisë i rënë në krye të detyrës të ishte i pranishëm pranë jush, duke përfshirë këtu edhe rritjen në grada që do të përfitonte gjatë gjithë periudhës së karrierës së tij.
Ministri Basha premtoi edhe përkrahjen e gjithanshme gjatë festës së organizuar me rastin e festave të fundvitit nga Ministria e Brendshme për fëmijët e punonjësve të policisë, të rënë në krye të detyrës. Basha shtoi se në projektligj parashikohet që duke nisur nga mosha 18-vjeçare, fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës të përfitojnë deri në përfundim bursat për studime të plota universitare në universitetet e Shqipërisë. Ministri Basha theksoi se kjo nismë ligjore nuk është dhuratë, por një detyrim ndaj atyre punonjësve të policisë që nuk u ndalën as ndaj rrezikut më të madh, rrezikut për jetën dhe e flijuan atë. Për fëmijët e punonjësve të policisë, të rënë në krye të detyrës, u zhvillua një koncert artistik dhe u shpërndanë dhurata.
Ble. Gi.