E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Me Interin deri më 2012-ën

Deklaratat më të fundit të Zhoze Murinjos përpara festave të fundvitit vijnë si një dhuratë për tifozët zikaltër, të cilët i trembeshin largimit të drejtuesit të stolit në fund të sezonit. Tekniku luzitan dëshiron të qëndrojë me skuadrën deri në vitin 2012 dhe nuk mundohet ta fshehë një fakt të tillë. Ai komenton edhe vitin 2009, ku Interi vazhdon të dominojë në Serinë A. "Jam dhe do të jem trajner i Interit", deklaroi Murinjo. "Kur hodha firmën në kontratën që zgjat deri në vitin 2012, veprova me bindje të plotë, ashtu sikurse edhe klubi e kishte të qartë zgjedhjen që po bënte". Objektivi kryesor për vitin 2010 është titulli kampion në Itali: "Pres, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, që të fitoj sërish kampionatin. Deri më tani kemi treguar se jemi skuadra më e fortë, por kjo nuk mjafton: duhet ta konfirmojmë këtë gjatë gjithë pjesës së mbetur të sezonit, shpjegoi portugezi. Kemi arritur të krijojmë një ekip të ekuilibruar. Gjithsesi, për shkak të dëmtimeve dhe problemeve të ndryshme, nuk kemi arritur që të luajmë dy ndeshje radhazi me të njëjtin formacion titullar. Sipas të gjitha gjasave, do ta mbyllim fazën e parë të Serisë A në krye të klasifikimit. Në Kupën e Italisë kemi fituar të vetmen ndeshje që luajtëm, ndërsa në Champions arritëm të kualifikoheshim, pavarësisht se luanim në një grup mjaft të komplikuar".
Murinjo beson se Interi ka kualitetin e duhur për të vazhduar të jetë fituese: "Faza përgatitore në Los Anxhelos nuk ishte aspak e thjeshtë, nuk e dija nëse Ibrahimoviç do të qëndronte. Gjithsesi, arritëm të zëvendësonim humbjen e një talenti si suedezi, duke afruar yje si Eto‘o dhe Shnajder, të cilët kanë kualitetin e duhur që ta ndihmojnë skuadrën drejt triumfeve. Shnajder është i vetmi lojtar i pazëvendësueshëm tek Interi: kur ai mungon, diferenca në mesfushë ka qenë e dukshme. Në Xhenoa topi nuk do të hynte në portë edhe sikur loja të vazhdonte gjithë natën, Barcelona u paraqit më e fortë se ne në ‘Kamp Nou‘, ndërsa ndaj Juventusit, ndeshja mund të kishte një tjetër histori. Ajo ishte një sfidë e ekuilibruar, ku nuk u akorduan dy 11-metërsha neto…". Për vitin e ardhshëm, Murinjo kërkon diçka më shumë nga talentet Santon dhe Baloteli. "Nga Santon kërkoj që të stërvitet ashtu si një vit më parë, ndërsa për Balotelin shpresoj që të vijë dhe të më thotë: ‘Në rregull trajner. Tashmë i kuptova të gjitha, nuk është nevoja që ti të vazhdosh të humbasësh kohë me mua‘". Champions League mbetet një prej temave më të nxehta në ambientin zikaltër: "Është një aktivitet ku asgjë nuk mund të thuhet me siguri, ishte komenti i teknikut nga Setubali. Në çerekfinale mund të ndeshemi kundër njërës mes Olimpiakosit e Bordosë, ose Seviljas dhe CSKA-së së Moskës: gjithçka mund të ndryshojë sipas shortit, ose prej skualifikimit të një lojtari. Champions është e paparashikueshme, por synimet tona nuk ndryshojnë". Në trofeun më prestigjioz për klube, Murinjo do të luajë kundër Çelsit, ish-skuadrës së tij. "Çelsi, ashtu si Barça, është një shkollë: ka një kulturë të veçantë. Për ata, çdo ndeshje është thjesht një ndeshje, çdo kundërshtar është thjesht një kundërshtar, pavarësisht nëse ai quhet Inter apo Hull Siti. Para dhe pas ndeshjes do të takohemi si miq, pasi kam përjetuar momente të bukura, por gjatë 90 minutave të lojës nuk jemi miq, pasi të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren", përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›