Rama, Topallit: Mos e votoni ligjin për Inspektoratin e Ndërtimit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës i kërkon Kryetares së Kuvendit që Parlamenti të mos votojë ligjin për Inspektoratin e Ndërtimit, pasi bie ndesh me Kushtetutën. Edi Rama, në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, thekson papajtueshmërinë ligjore dhe kushtetuese të propozimeve të fundit të qeverisë në ligjin për Inspektoratin e Ndërtimit. Sipas Ramës, projektligji, i cili rrit kompetencat e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit brenda territorit të njësive vendore dhe pa vendim gjykate, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj vendimeve specifike të marra më parë nga Gjykata Kushtetuese, çka sipas tij sjell edhe regres në ecurinë e reformës së decentralizimit dhe cenon parimin e autonomisë vendore. Në këtë letër, Rama thotë se edhe dhënia e kompetencave për policinë ndërtimore që të ndërhyjë pa vendim gjyqësor në veprimtarinë e autoriteteve vendore tejkalon standardet kushtetuese dhe normat ndërkombëtare. Sipas Ramës, duke i dhënë Inspektoratit të Ndërtimit atribute vendore krijohen premisa për konflikt të hapur kompetencash dhe pasiguri tek qytetarët, pasi ky propozim i qeverisë është kërcënim i hapur për ligjërimin e arbitraritetit e abuzimit të pushtetit. Rama kujton rastin e mbikalimit te "Zogu i Zi", kur Policia Ndërtimore vendosi shkatërrimin e këtij objekti të investuar nga bashkia, por që gjykata i dha të drejtën bashkisë. Sipas tij, propozimet e qeverisë janë në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet parimit të ligjshmërisë dhe atij të sigurisë juridike, të sanksionuara në nenin 4 të Kushtetutës. "Shkelet parimi ligjshmërisë, sepse sipas Kushtetutës kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve juridike të ushtruara nga një autoritet i administratës nuk mund të kontrollohen nga një tjetër autoritet administrativ, por vetëm nga gjykata", shkruan Rama. Një argument tjetër që përmendet në letër është ai i cenimit të parimit të ndarjes së pushteteve, pasi sipas Ramës projektligji i qeverisë krijon kapërcime të kompetencave të pushtetit gjyqësor në favor të atij ekzekutiv, pasi ky i fundit mund të kryejë veprime pa vendim gjykate. Rama argumenton se qeveria, me propozimet e saj për fuqizimin e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, nuk është konsultuar me njësitë vendore, sikundër parashikojnë normat kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare në këto raste, pasi janë çështje që i përkasin drejtpërsëdrejti pushtetit lokal. Për të gjitha këto argumente, Rama i konsideron propozimet e qeverisë shkelje të hapura, flagrante e të përsëritura të normave e parimeve të shtetit të së drejtës, që bien ndesh me Kushtetutën, ndaj kërkon mosmiratimin e tyre në Kuvend.
A.Th.