E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku shkoi ai zotimi shumë i vrullshëm, shumë emocional?

Gati një muaj më parë, kryeministri Sali Berisha, doli në një konferencë urgjente shtypi me dy propozime që befasuan opinionin publik. Së pari, premtoi se do të ngrejë me urgjencë një komision hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë e kryeprokurores, Ina Rama, dhe marrëdhëniet e institucionit të saj me Ministrinë e Drejtësisë dhe, së dyti, që do të kërkonte hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliçin, pasi, sipas tij, ai nuk kishte besim që drejtësia shqiptare do të ishte e paanshme më të.

Propozimet normalisht hasën në kritika kombëtare dhe ndërkombëtare. Pati reagime verbale publike nga ambasadori i SHBA në Tiranë dhe kritika serioze dhe nga aleatë të tij në Kuvend. Por kryeministri nuk dha shenjë që po tërhiqej.

Pasi ka kaluar thuajse një muaj nga ky zhvillim shumë i vrullshëm dhe emocional i kryeministrit, nuk kemi asnjë rezultat konkret. Asnjë komision hetimor nuk është ngritur dhe asnjë hetim ndërkombëtar nuk ka filluar. Përveç kësaj, kryeministri është thirrur në një mocion debat për çështjen “Fazlliç” dhe nuk e ka zënë emrin e tij fare në gojë, edhe pse kishte premtuar se ishte i gatshëm ta sillte dhe vetë Fazlliçin në Kuvend.

Institucioni i qeverisë duhet të japë një shpjegim, se ndryshe autoriteti i konferencave urgjente për shtyp do të bëhet dhe më qesharak nga se është bërë. Kur një kryeministër del me urgjencë në konferencë për shtyp dhe e bën shumë dramatike situatën, duhet doemos të ketë një arsye të fortë për luftë, por edhe qartësinë e duhur të strategjisë së luftës që shpall.

Kryeministri ynë nuk demonstroi as përgjegjësi në nismat që shpalli, as përgjegjësi në mbajtjen e fjalës së dhënë publikisht. E dimë që është pak e zorshme që po ia kujtojmë, por është shumë e freskët si ngjarje. Ka kaluar gati një muaj dhe ai nuk mund t’i ketë kaq të shpeshta gënjeshtrat publike. Ai duhet të japë një shpjegim publik. Qoftë dhe sikur të kërkojë falje për ato që ka thënë, meqë i ka hyrë në qejf kjo puna e faljes publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›