E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, dëshmi nga Italia nga 2 ish-agjentë të SHIK

 TIRANE - Palët në proces në gjykimin ndaj të akuzuarve të dosjes “Remzi Hoxha” tek Krimet e Rënda mund të jenë të pranishëm në ekzekutimin e letër-porosive të dy ish-SHIK-ve në Itali. Letër-porositë e dërguara disa seanca më parë nga drejtësia shqiptare për pyetjen e dëshmitarëve Riza Shehu dhe Eduart çoku do të ekzekutohen në seanca të hapura, ku mund të jenë të pranishëm edhe togat e zeza shqiptare. Konfirmimi është bërë i ditur në seancën e djeshme me të pandehur tre ish-sekretët Remzi Hoxha, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt, Ziso Kristopulit, Remzi Hoxhës, në vitin 1995, me pasojë zhdukjen e të fundit. Seanca e djeshme u ndërpre pak para parashikimit, për shkak të hasjes së një problemi në shëndetin e njërit prej gjyqtarëve të çështjes.  LETER-POROSITEGjykata për Krimet e Rënda dërgoi disa herë me radhë njoftime për thirrjen në gjykatë të dëshmitarëve Riza Shehu dhe Eduard çoku por përgjigjet e marra ishin negative. Në vijim pasi organi i akuzës konfirmoi adresat e qëndrimit të dëshmitarëve në shtetin italian gjykata pranoi pyetjen e dëshmitarëve me anë të letër-porosive. Në seancën e djeshme, kryesuesi i seancës, gjyqtari Xhelal Elezi relatoi para palëve konfirmimin e Ministrisë së Drejtësisë për mbërritjen e letër-porosive në Itali. Sipas gjyqtarit, ekzekutimi i letër-porosive, pra pyetja e dëshmitarëve, do të zhvillohet në një seancë të hapur. Gjithashtu gjykata do të njoftohet për datën e seancës kur dëshmitarët Shehu dhe çoku do të përballen me pyetjet e dërguara dhe se palët e procesit mund të marrin pjesë në këtë seancë. Në seancën e datës 5 janar avokatët mbrojtës në shqyrtimin e dosjes “Remzi Hoxha” tek Krimet e Rënda i kërkuan gjykatës që gjykata të ishte e pranishme gjatë ekzekutimit të letër-porosive në Itali. Ndërkohë që gjykata është në pritje të konfirmimit të mbërritjes me letër-porosi të pyetjeve në Holandë ndaj dëshmitarit “kyç” të procesit, Avdyl Loshaj. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se deri ditën e djeshme një konfirmim i tillë ende nuk kishte mbërritur. Dëshmitarët Shehu, çoku dhe Loshaj janë ndër të fundit dëshmitarë të procesit në fjalë tek Krimet e Rënda. Dëshmitë e tyre konsiderohen si tepër të rëndësishme nga organi i akuzës. Kjo për faktin se Loshaj është një nga të dëmtuarit nga veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit. Ndërsa dëshmitari Shehu, sipas prokurorisë, dyshohet se është një nga oficerët e SHIK që ka qenë në automjetin me të cilin është rrëmbyer biznesmeni Remzi Hoxha në vitin 1995. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›