E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja në Itali Gjykata: Akuza të rihapë dosjen

 TIRANE – Gjykata detyron prokurorinë të hetojë vdekjen e një shqiptari në Itali. Vendimi është firmosur pak ditë më parë në kryeqytet nga gjyqtari Bujar Krasniqi, ndërsa kërkesa në gjykatë, është paraqitur nga 63 vjeçari me origjinë nga Dibra Xhevat Zeneli, babai i viktimës Endri Zeneli, i cili është gjetur i vdekur më 23 nëntor 2003 në Itali. Pas hetimeve të kryera nga prokuroria në vitin 2006 ishte vendosur mos fillimi i hetimeve për këtë çështje, babai i viktimës, duke pretenduar se vrasja e birit ishte kryer nga djali i xhaxhait të tij, i është drejtuar gjykatës, kundër vendimit të prokurorisë, menjëherë sapo e ka mësuar këtë të fundit. Sipas vendimit të prokurorisë i është dërguar autoriteteve italiane më 2007, një shkresë duke i kërkuar një sërë dokumentacioni që ka të bëjë më vdekjen e Zenelit. Këto dokumente kanë mbërritur në Shqipëri dhe i janë vënë në dispozicion edhe babait të viktimës. Në skedën e vdekjes dhe atë të këqyrjes së kufomës së Zenelit nga ana e autoritetit procedues Italian pasqyrohet ajo çfarë kërkohet nga Prokuroria Shqiptare, si dhe është shënuar: “…në vijim të vdekjes për shkaqe të dhunshme…”, si dhe: “i riu i futur në ujë që prej kohësh pasi kishte marrë alkool dhe substancë narkotike…”. Ndërkohë në komunikatën e Policisë së Bolonjës pasqyrohet se bëhej fjalë për një vdekje të dhunshme, ndërsa gjithë dokumentacioni shoqërohej nga tabela fotografike e vendit të ngjarjes dhe e kufomës. Nisur nga këto babai i viktimës Xhevat Zeneli pohon se i biri ka shkuar te kushëriri Hydajet Zeneli të kërkonte lekët e tij dhe të sqaronte mosmarrëveshjet që kishin dy baballarët e tyre me njëri – tjetrin, por përfundimi ka qenë vdekja e tij. Xhevati akuzon nipin e tij Hydajetin, dhe se gjithçka ka ndodhur për motive banale të përfitimit material dhe rrjedhoje e një konflikti lindur prej vitesh midis dy familjeve për arsye banese në Tiranë. Endri ka ndenjur gjithë ditën e natën në disko duke konsumuar pije alkoolike dhe narkotikë me kushëririn e tij Hydajetin. Nisur nga këto fakte gjykata, për të pasur një hetim sa më të plotë, ka vendosur që të ripyetet nga prokuroria Hydajeti, si dhe e dashura e tij Ledjana Tare me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, e cila prej kohësh ndodhet në Shqipëri.                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›