E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku t`i kërkoj rrënjët e tua Mafje?!?

Në fakt dikur i drejtoheshim kështu Partisë mëmë, e cila është shtuar e shumuar si një gjallesë që lind nga çdo copëz e saj. Por ndryshe nga i madhi poet, tashmë duhet të gjejmë rrënjët e të tjerave gjëra, që i groposëm thellë në kohë të demokratëve komunistë dhe më pas në të socialistëve kapitalistë. Shkurt muhabeti, këto ditë duam të gjejmë rrënjët e Mafjes, se e shkreta është katandisur “rrënjëdalë” siç i thonë plakat e jugut. Duhet ta marrim vesh, ku i ka rrënjët kjo e uruar(!), në shoqëri, media, politikë apo botën e biznesit???

Këto tre mundësi janë, por të gjithë elitarët mundohen tja faturojnë shoqërisë, që e kanë katandisur si një sahan të madh me sallatë që futin dorën të marrin ndonjë gjë nga fushata në fushatë. Por sëfundi, kryeministri Berisha, etiketoi mediat si të lidhura me mafjen, gjë që shkaktoi shumë zhurmë. E para sepse Berisha s`është më në opozitë por në qeveri dhe e dyta sepse kryeministri ishte munduar në këta muaj të qëndronte larg medias, nisur edhe nga eksperienca e tij e keqe në kohën e qeverisjes së “demokratëve komunistë”. Por a është vërtet e lidhur media me mafjen dhe rrjedhimit edhe me krimin? Për ata që lëçisin përditë nga 2-3 faqe gazetë, që shohin Tv-në, që dëgjojnë ndojnë radio rrugëve, është e qartë se mafia në Shqipëri është kudo.

Rrënjët e saj, fatkeqësisht, gjenden në radhë të parë në politikë, e pastaj në botën e biznesit, e pastaj në media e në fund në shoqërinë e thjeshtë. Por ata që kapen e nxirren para drejtësisë, janë pikërisht ata të shkretë që i përkasin kategorisë së fundit, e quajtur ndryshe “peshqit e vegjël”. Pra, kryeministri ndërsa kërkon rrënjët, gabohet kur median e një vendi kaq të vogël, bërë pjesë e ineteresave të ndryshme, e lidh me mafjen. Ai s`ka bërë asgjë për lidhjen e mafjes me politikën e me qeverisjen, ndërsa bërtiste se do ta bënte këtë shesheve të Shqipërisë para se të vinte në pushtet.

Ai duhet të faktojë këto akuza, dhe pastaj të vazhdojë me të tjera, pasi s`ka kuptim të vazhdojw pafundësisht me këtë gjuhë, “si kur je më këmbë e si kur je kaluar”. E dyta, nëse kryeministri ka fakte dhe prova, t`i vendosë në tryezw e të bindë opinionin, pasi llafet i merr era. Nëse ato janë të bindshme, nuk ka “Sollak” që të mos t`i shqyrtojë.

Kjo s`është tjetër veçse gjuhë konflikti, që ushqehet për të mbajtur zjarrin ndezur dhe për të tërhequr vëmendjen nga probleme emergjente të vendit. Shashka “Bamir Topi” nuk u nxorr para pak javwsh veçse për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga humbja e zgjedhjeve. Prandaj, nëse dikë në qeverinë e zotit Berisha e sulmojnë mediat, ai duhet të dalë e të mbrohet vetë. Nëse ka akuza pa bazë, gjithëkush mund t`i drejtohet gjykatës. Por zoti Berisha, s`mund të dalë me shpatën dhe prazmoren e kryeminisrit dhe të flasë si dikur, nga selia blu, ku e kishte të lehtë të sulmonte e të baltoste kë të donte.

Tashmë atij i duhet të jetë më i qetë dhe ta pranojë edhe opozitarizmin e mediave, në të kundërt, mund të kthehemi në kohën e “demokratëve komunistë” që përdonin dhunën ndaj saj, apo në kohën e “socialistëve kapitalistë” të cilët e blinin! Zgjidhni e merrni, pastaj gjejmë bashkë rrënjët e mëmës Mafje!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›