“Presa” preson tre poseduesit e heroinës
GRAMSH – Një operacion i koduar me emrin “Presa” ka çuar në pranga tre posedues heroine. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë arrestuar shtetasit; Ardian Dragoti, 34 vjeç, Besmir Coha, 23 vjeç dhe Landi Deliu, 24 vjeç, që të tre lindur e banues në Gramsh. Sipas Policisë së Elbasanit, prangosja e këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “18 Gushti” në Gramsh, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Besmir Coha, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës lëndë narkotike, të llojit heroinë, me peshë 0.4 gram. Operacioni vijoi me kontrollin në shtëpinë e shtetasit Landi Deliu, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua 0.2 gram lëndë narkotike, e cila, sipas policisë, “për nga karakteristikat, ngjason me atë të llojit të heroinës dhe ka rezultuar se këtë lëndë e kishin marrë nga shtetasi Ardian Dragoti”. Zëdhënësja Valbona Bega shton se kontroll policor u ushtrua edhe në shtëpinë e 34-vjeçarit Dragoti, ku u gjet një sasi droge e llojit heroinë në masën 4.2 gramë. E gjithë sasia e drogës së sekuestruar në këtë operacion është 4.8 gramë. Policia e Elbasanit shton se po punohet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes apo përdorimit të heroinës. Dosja në ngarkim të tre personave i kaloi prokurorisë, pasi tre të ndaluarit pritet të ndiqen për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”.
Box 1
Arrestohet, kapen në flagrancë me 6.6 gramë drogë
TIRANË – Posedimi i një sasie lënde narkotike i ka kushtuar shtrenjtë një djali 20-vjeçar nga kryeqyteti. Burime zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës është arrestuar shtetasi Endri Bendaj. Gjatë një kontrolli të befasishëm të policisë në rrugën Shkozë - Farkë, Bendajt i është gjetur një qese farmacie, brenda së cilës kishte bimë e dyshuar narkotike me peshë 6.6 gramë, e cila u bllokua në cilësinë e provës materiale. Zëdhënësja e Policisë, Alma Katragjini, pohon se materialet në ngarkim të këtij personi i kaluan prokurorisë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Hapja e derës së makinës aksidenton oficerin e Policisë
ELBASAN – Hapja e derës së një makine ka flakur në trotuar një polic teksa udhëtonte me motor. Ngjarja ndodhi në qytetin e Elbasanit, fare pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Policia vendore konfirmoi se efektivi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan është shtetasi Bexhet Agolli. Sipas saj, Agolli ka qenë duke udhëtuar me një motor ndërkohë që një drejtues automjeti pasi kishte parkuar makinën e tij ka hapur derën vrulltas dhe ka hedhur në tokë efektivin. Agolli është dërguar me urgjence në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmën e parë, ndërkohë që policia po heton rrethanat e aksidentit.
24 Prill 2010