E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikohet Barcelona

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa është i bindur për kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pavarësisht humbjes 2-1 në Arsenal në ndeshjen e parë të fazës eliminatore të garës. Ai thotë se gjiganti katalan duhet të përsëritë paraqitjen dominuese nga Londra, por të përmirësojë efikasitetin para golit. Ylli spanjoll beson se skuadra këtë sezon mund të fitojë të tre titujt. Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 08:16

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa është i bindur se ekipi i tij do ta mposhtë Arsenalin për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve muajin e ardhshëm, pavarësisht humbjes 2-1 në veri të Londrës.

Villa i dha epërsinë e hershme ekipit dominues të Barcelonës në takimin e parë në Emirates të mërkurën e kaluar, mirëpo Arsenali u kundërpërgjigj duke arritur fitore nëpërmjet golave në pjesën e dytë nga Robin van Persie dhe Andrey Arshavin.

Barcelona duhet të rikthejë disavantazhin në Nou Camp më 8 mars, për të siguruar kualifikimin. Por, Villa beson se një paraqitje e ngjashme në shtëpi do të mjaftonte për ekipin e Pep Guardiolas.

“Mendoj se nëse bëjmë gjërat siç i kemi bërë në Londër, do të jemi në rregull”, tha ai. “Do të kualifikohemi për në fazën tjetër, jam i sigurt sepse ishim larg më superiorë në gjithçka përveç rezultatit (në Emirates)”, shtoi ai.

Villa dhe bashkëlojtarët e tij humbën shumë raste të mira në Londër, por sulmuesi spanjoll është i vetëdijshëm se për të kaluar në çerekfinale, duhet të jenë më efikas në ndeshjen e kthimit. “Ne duhet të paraqitemi më mirë para golit. Nëse e bëjmë këtë, do të shkojmë përpara”, theksoi ish ylli i Valencias.

Përballjes së dytë me Arsenalit gjatë kësaj jave i është dhënë një ndezje shtesë nga transferimi kontrovers i mesfushorit 16 vjeç të Barcelonës Jon Toran në Arsenal. Kalimi ka zemëruar gjigantin katallan. Ende është i zemëruar me Arsenalin prej transferimit të Cesc Fabregasit në marrëveshje të ngjashme më 2003.

Por, Villa thotë se asgjë nga kjo nuk është në mendjen e futbollistëve të Barcelonës për momentin.

“Jemi duke menduar për Mallorcan (kundërshtari i fundjavës në La Liga), këtu jemi të përqendruar tani. Të tjerat, për momentin janë mjaft larg. Ndeshja me Arsenalin është shumë me rëndësi, por para Arsenalit kemi të tjerë. Nervat, brengat dhe dëshira për të luajtur janë të përqendruara në takimin me Mallorcan”, vazhdoi ai.

Barcelona ruajti epërsinë e pesë pikëve ndaj Real Madridit me fitore 2-1 ndaj Athletic Bilbaos të dielën, ndërsa do të takohet me ekipin e Jose Mouirnhos në finale të Copa del Rey më 1 prill. Edhe pse trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka hedhur poshtë sugjerimet se ekipi i tij mund të fitojë ligën, Kupën dhe Ligën e Kampionëve, Villa beson se gjithçka është e mundshme.

“Ne ende luftojmë për tre tituj. Do të mundohemi të shkojmë hap pas hapi dhe t’i fitojmë të gjitha. Do të nevojitet punë e madhe, por ende jemi në garë për të tre titujt dhe do të mundohemi të shkojmë deri në fund. Mund t’ju premtoj këtë”, përfundoi Villa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›