E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pionierët e muzikës elektronike

Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 12:35

Në 40 vitet të fundit, një grup vokalo-instrumental gjerman shkroi historinë e muzikës moderne. Grupi Kraftwerk, nga Duseldorfi, gjegjësisht katërshja nga e cila buruan trendët më të rëndësishëm të muzikës elektronike.

Në fund të viteve të 60’a, Ralf Hütter dhe Florian Scheinder, që asokohe ishin studentë të akademisë së muzikës, vendosën që, në kundërshtim me të gjitha ndikimet anglo-amerikane, të tentonin të krijonin një muzikë të re gjermane. Në fund të vitit 1968 e themeluan grupin Organizata, dhe eksperimentuan shumë me muzikë psikodelike, ndërsa dy vite më vonë grupin e riemëruan në Kraftwerk – ose, në përkthim, Centrali elektrik.

Pas performimeve të shumta akustike të muzikës psikodelike, më 1973 vendosën që të kalojnë plotësisht në muzikë elektronike, gjegjësisht në bërjen e melodive elektronike që u bënë pjesë e historisë, e që njihen me emrat si “Autobahn”; “Neon Lights”, Model”, “Robots”, “Numbers”, Man-Kraft”, “Radio-Activity” ose “Music Non Stop”, etj...

Pasi që disa nga kompozimet e Krafwerk u shfaqën nëpër top-listat e shumë shteteve – si kënga “Neon Lights”, për shembull - kjo duhet se paralajmëroi ardhjen e kohës për ndryshimin e rrjedhës së historisë së muzikës moderne. Në këtë gjë, në një mënyrë paksa të pazakontë, mori pjesë edhe disk-xhokeji dhe muzicienti i asokohshëm nga New Yorku, Afrika Bambaataa. Ky i fundit, bashkë me grupin The Suolsonic Fours, në vitin 1982 interpreton pikën historike “Planet Rock”, një këngë kjo që konsiderohet si kënga e parë rap, por edhe si paralajmërimi i parë i muzikës tekno. Në këtë këngë Bambaataa inkorporoi edhe një pjesë të kompozimit “Trans-Europe Express”, të grupit Kraftwerk.

Rrugës së vet

Ishte pikërisht kjo pjesë, që dëgjohet në fund të incizimit të vitit 1982, ajo që i intrigoi disa prej muzicientëve të rinj amerikanë, si Derrick May, Juan Atkins dhe Jeff Mills. Tingujt iu tingëlluan disi mistik, por edhe interesant, andaj edhe deshën të dinin se kush i krijoi. Natyrisht se rruga i shpiu drejt grupit Kraftwerk – për të cilën pastaj mësuan shumëçka dhe me punën e së cilës u mrekulluan, prandaj edhe vendosën që edhe të provonin veten në kompozimin e ritmeve hipnotike dhe tingujve elektronikë. Kështu lindi muzika tekno, gjegjësisht tekno-shkolla e Detroit, i cili pastaj, së bashku me tekno-tingullin e Chicago’s, u shndërrua në njëlloj djepi të muzikës tekno.

Mirëpo, grupi Kraftwerk vazhdoi të udhëtonte rrugës së vetë, duke mos u shkrirë në asnjë stil të caktuar të kohës, por duke krijuar tinguj dhe tema që joshnin masat. Në secilën dekadë të ekzistimit, grupi shënonte njëfarë tatëpjete në zhvillim; në vitet e 80’a ishte ky koncepti i kafesë elektronike, e në të 90’at ishte krijimi i ritmeve të ngazëllyera që të nxisnin për vallëzim, e deri tek të cilat grupi erdhi me përpunimin e opusit të deriatëhershëm.

Muzika flet vetë për ta

Në vitin 2004, kur anëtarët e grupit kishin shkelur goxha mirë në të pesëdhjetat, Krafwerk u nis në turneun botëror, i cili parashikonte mbajtjen e 105 koncerteve, duke filluar nga Kanadaja, përmes SHBA’ve, Amerikës Jugore, Evropës e Azisë, e deri në Australi. Të gjitha koncertet u shitën paraprakisht, ndërkohë që shumica e tyre edhe u reprizuan – që do të thotë se brenda një nate u mbajtën nga dy koncerte radhazi. Shumë veta në publikë u panë duke qarë, njësoj siç qanin femrat adoleshente nëpër koncertet e The Beatles. Megjithëse, grupin Kraftwerk me The Beatles ka kohë që i kishte krahasuar edhe gazeta e njohur ‘The New York Times’, e cila grupin e kishte quajtur si “The Beatles të muzikës elektronike”.

Gjatë karrierës, grupi Kraftwerk ka ndërrua disa herë përbërjen, megjithëse themeli i tij deri në vitin 2009 ishin Ralf Hütter dhe Florian Schneider. Po atë vit, Schneider e braktis grupin. I mbushi 65 vjet, dhe u ngop. Hütter ende punon. Krah për krah me të qëndrojnë edhe Fritz Hilpert dhe Henning Schmitz, të cilët janë pjesë e grupit mbi 20 vjet, ndërkohë që Schneider u zëvendësua nga Stefan Pfaffe.

Edhe më tej jetojnë vullnetarisht në ekzil, në Duseldorf. Ende japin intervista. Edhe pse për ta gati askush nuk di asgjë. Për ta flet mjaft zëshëm muzika që e bënë. (DW)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›