E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualjarela, fund sezonit, Juventus merr Luka Tonin

TORINO- Zgjidhja e Juventusit për sulmin mban emrin e Luka Tonit. Ish-sulmuesi i Xhenoas është bërë sot zyrtarisht një futbollist bardhezi, ndërsa pasdite drejtori i përgjithshëm i klubit Bepe Marrota e ka prezantuar në mjediset e klubit. Në këtë mënyrë, Juventusi i është përgjigjur shumë shpejt disfatës me Parmën dhe dëmtimit të pësuar nga Fabio Kualjarela, i cili i ka dhënë fund tashmë sezonit, pasi do të qëndrojë 5-6 muaj jashtë fushave. Toni është i gatshëm për të luajtur që në sfidën e radhës ndaj Napolit, ku do të formojë dyshen e sulmit së bashku me Alesandro Del Pieron. “Ishte një operacion i nisur dhe i mbyllur sot, - deklaroi Marrota në konferencën e prezantimit. – E kemi blerë me titull përfundimtar, ndërsa me futbollistin kemi gjetur akordin edhe për sezonin e ardhshëm. Shpreh fjalët më të mira për Tonin, që pranoi reduktimin e rrogës dhe lidhjen e saj me rendimentin e tij dhe me rezultatet e ekipit. Shfrytëzuam një mundësi që nuk do të na jepej më, ndërsa mund t’ju them se Luka Toni nuk është një zëvendësues i Kualjarelës, pasi ka cilësi të ndryshme teknike dhe taktike”, u shpreh drejtori i përgjithshëm bardhezi.

Sulmuesi
Luka Toni është shprehur tepër i lumtur me mundësinë që i ka dhënë Juventusi, duke e quajtur këtë lëvizje një realizim të ëndrrës së tij. “Jam shumë i kënaqur, është një ëndërr të veshës këtë fanelë, - deklaroi sulmuesi italian në momentin e prezantimit. – Luajta për 90 minuta në ndeshjen me Lacion, ndërsa tani jam gati të zbres në fushë kundër Napolit, ndonëse këtë e vendos Del Neri”. Luka Toni tregoi më pas edhe një prapaskenë të merkatos. “Në vitin 2007 isha shumë pranë kalimit te Juventus, por në fund vendosa të shkoj jashtë. Për të luajtur këtu hoqa dorë edhe nga oferta më të mira ekonomike, pasi dua të tregoj vlerat e mia”, tha lojtari i ri i Juves. Luka Toni do të luajë në sulm bashkë me Del Pieron, me të cilin ka qenë në të njëjtën skuadër që fitoi Kupën e Botës në vitin 2006. “Jam shumë i lumtur që takohem me Del Pieron, me të cilin kam kaluar momente shumë të bukura, duke nisur nga Botërori i Gjermanisë, - tha ai. – Është një kënaqësi të luash me të. Jam një futbollist i zonës së rreptësisë dhe mund të mbështetem tek dy anësorë shumë të fortë. Xhenoa? Falënderoj Preciozin për këtë mundësi, në klubin kuqeblu pata disa probleme dhe jo çdo gjë shkoi mirë”, shtoi sulmuesi i Juventusit.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›