E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venger, trajneri më i mirë i dekadës së fundit

Arsen Venger është trajneri më i mirë i 10 viteve të fundit, sipas Institutit Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave në Futboll.

IFFHS ka marrë në shqyrtim periudhën nga viti 2001 deri në 2010 dhe tekniku francez është renditur i pari, megjithëse skuadra e tij nuk fiton një titull prej shumë vitesh.
Ky institut ka marrë për bazë renditjet e përvitshme të Arsenalit në kompeticionet e ndryshme. Venger ka marrë 156 pikë, duke lënë pas Aleks Ferguson të Mançester Junajtid me 148 dhe Zhoze Murinjon e Realit të Madridit me 135.

Portugezi është më i riu mes 10 trajnerëve më të mirë të dekadës. Nuk mungon në këtë listë Fabio Kapelo, që zë vendin e katërt me 120 pikë, ndërsa i pesti renditet holandezi Gus Hidink. Vendi i gjashtë i takon trajnerit të Çelsit Karlo Ançeloti, ndërsa në vend të shtatë, me kuotë të barabartë pikësh janë Luis Felipe Skolari dhe Marselo Bielsa.
Rafa Benitez ndodhet në vend të nëntë, ndërsa lista e 10 më të mirëve mbyllet nga italiani Marçelo Lipi, fitues i Kupës së Botës në vitin 2006. Lipi lë pas në këtë klasifikim Vicente del Bosken, që arriti të fitonte Kupën e Botës me Spanjën në Afrikën e Jugut.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›