E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi: Kosova ka ditur të afirmohet

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, në një letër që i dërgoi këto ditë Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut, vlerësoi lart arritjet e shtetit të ri të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj vitin e kaluar. "Brenda një viti e gjysmë, që nga shpallja e pavarësisë, shteti juaj ka ditur të afirmohet në skenën ndërkombëtare. Njohja e fundit e Kosovës dhe anëtarësimi në institucionet financiare ndërkombëtare vërtetojnë dinamikën e procesit, në të cilin është angazhuar Kosova. Ju keni marrë përsipër të udhëhiqni reformat delikate, të cilat janë të nevojshme që në Kosovë të konsolidohen demokracia dhe shteti juridik, krahas respektimit të plotë të vlerave europiane. Ju keni dhënë një kontribut personal në përpjekjet që kanë si qëllim t‘u japin vendin e merituar bashkësive të ndryshme që jetojnë në Kosovë dhe në këtë mënyrë kontribuoni për stabilitetin rajonal", vihet në dukje në letrën, të cilën Presidenti francez Sarkozi i ka dërguar homologut të tij kosovar, Sejdiu, dhe së cilës i referohet edhe media e sotme serbe në Beograd.

Beogradi zyrtar u tregua mjaft i rezervuar në komentet për letrën vlerësuese të Presidentit francez në adresë të Presidentit kosovar. Përfaqësues të lartë zyrtarë dhe të jetës politike të Serbisë e shprehën në formë pak a shumë diskrete pakënaqësinë ndaj deklaratës së fundit të Presidentit të Francës për Kosovën. Sekretari i Shtetit në të ashtuquajturën "Ministri për Kosovën dhe Metohinë", Oliver Ivanoviç, të cilit i referohet gazeta e përditshme serbe "Kurir", i pyetur nga kjo e fundit që të komentonte letrën e lartpërmendur, vinte në dukje sot se "pritej që Franca të mbante qëndrime të tilla, por ne duhet të mendojmë për aspektet e tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, sidomos për atë të eurointegrimit. Franca na ndihmon mjaft, por do të mbesë përgjithnjë njollë në marrëdhëniet tona fakti i njohjes nga ana e saj të pavarësisë së Kosovës", theksoi Oliver Ivanoviçi.

Analisti i njohur serb, Dushan Janjiç, nga ana e tij, thekson se Sarkozi kërkon ta "lajë" veten para opinionit publik botëror, si dhe të tregojë se ai nuk ka mbështetur ndonjë projekt të gabuar. "Perëndimi nuk do të pranojë as dështimin dhe as gabimin e dukshëm. Ai (Perëndimi) nuk do të heqë dorë, ndërsa atij të mos i ofrohet diçka më e fortë që ai të mbështesë Serbinë. Serbia duhet ta ndihmojë Francën që ajo të fillojë ta ndryshojë gradualisht politikën kundrejt Kosovës. Politika e saj lidhur me Kosovën nuk është kaq e thjeshtë. Prandaj, nuk është mirë që ne të reagojmë në mënyrë euforike ndaj çdo deklarate të Sarkozisë", vuri në dukje analisti Janjiç.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›