E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Po krijohen kushte për kthimin e serbëve

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, gjatë vizitës zyrtare në Suedi është takuar me raportuesin special të Këshillit të Evropës për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bjorn Von Sydov, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e kaluar të Suedisë.
Gjatë takimit, Kuçi e njoftoi Sydov për arritjet e qeverisë së Kosovës, në veçanti për procesin e zgjedhjeve, duke u shprehur se procesi në fjalë është duke shkuar jashtëzakonisht mirë.
Kuçi tha se janë krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e serbëve në Kosovë dhe është bërë progres në respektimin e lirive të njeriut dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Nga ana e tij, Von Sydov shprehu interesimin për zhvillimet demokratike në Kosovë dhe në veçanti përshëndeti iniciativën e kryeministrit Hashim Thaçi për ndërtimin e shtëpive të minoritarëve serbë, të cilët kanë vendosur të kthehen në Kosovë.
Sydov premtoi se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën, për t'i parë nga afër zhvillimet e reja në rajon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›