Kuçi: Po punohet për forcimin e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullaket me temën “Të drejtat e qytetarëve dhe llogaridhënia në sistemin e drejtësisë”, e organizuar si pjesë e kampanjës “Drejtësia dhe qytetarët”.
Ai me këtë rast ka thekuar se ndonëse drejtësia dhe të drejtat e qytetarëve janë të lidhura drejtpërdrejtë njëra me tjetrën, ndodhë që shpesh realiteti t’i largojë ato nga njëra tjetra. Prandaj është me shumë rëndësi që, si sot, ato gjithmonë të diskutohet si dy çështje të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, apo më mirë - të varura njëra nga tjetra.
Që nga marrja nën udhëheqjen time Ministrinë e Drejtësisë, ka vazhduar Kuçi, unë kam investuar shumë kohë dhe punë për të siguruar që gjyqësori dhe prokuroria të kenë kushtet më ideale për të funksionuar mirë.
Përveç që ky pushtet tashmë është komplet i ndarë nga ekzekutivi dhe funksionon i ndarë, Ministria jonë ka propozuar edhe një amendament kushtetues, i cili është aprovuar nga Gjykata Kushtetuese dhe i cili do të miratohet shumë shpejtë.
Më këtë amendament, do të mundësohet që më shumë se shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të jenë të zgjedhur nga vetë gjyqësori dhe jo nga Parlamenti. Kjo gjithsesi do të shtojë edhe më shumë pavarësinë e gjyqësorit.
Duke folur për rastin e Diana Kastratit, vendosur nga Gjykata Kushtetuese, Kuçi ka thënë se vetë-korrigjimi i gjyqësorit në Kosovë do të vazhdojë të shërbejë akoma më shumë në të ardhmen dhe kjo do të bëjë që qytetarët të ndihen më të sigurt në vend dhe të ndihen se institucionet e tyre adresojnë në mënyrë të duhur shqetësimet e tyre./Indeksonline/