E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi Haqqani po shton ndikimin në Afganistan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trupat e NATO-s dhanë alarmin në Afganistan mbi prezencën gjithnjë e më të fortë të rrjetit terrorist, të quajtur Haqqani, aktiviteti i të cilit deri më tani shtrihej gjerësisht në Pakistan.

Sipas informacioneve të Aleancës, ka një rritje të ndjeshme të ndikimit të grupit Haqqani në provincat Khost, Logar, Paktia dhe Vardak, që të gjitha province në zonën kufitare me Pakistanin.

NATO thotë se zonat përdoren për inflitrimin e elementëve terroristë nga Pakistani, duke përfituar nga prezenca e dobët dhe pamundësia e trupave afgane për të kontrolluar si zonën kufitare, ashtu edhe vetë lokalitetet në brendësi të vendit.

Megjithatë, thuhet se SHBA dhe NATO janë të vendosur të ofrojnë më shumë mbështetje logjistike, materiale dhe financiare për trupat afgane, për përmirësimin e kontrollit në zonën kufitare me Pakistanin.

Deri me tani dihet shumë pak për rrjetin terrorist Haqqani.

Ajo që është e sigurt është se ky rrjet ka lidhje të forta me Al Qaedën dhe është përgjegjës për një sërë atentatesh dhe sulmesh kundër civilëve dhe zyrtarëve qeveritarë, më shumë në Pakistan, e më pak në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›