E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Jo dialogut për çështjet të brendshme

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka hedhur poshtë mundësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Beogradin për çështje të brendshme të Kosovës.

Sipas tij, në veri të Mitrovicës mbizotëron një gjendje e rënd e cila është trashëguar që 13 vite dhe se për tejkalimin e saj nevojitet një angazhim i të gjitha forcave politike, e posaçërisht një ndikim direkt i Uashingtonit dhe i Brukselit mbi qeverinë e Beogradit.

Kuçi këto deklarata i ka dhënë, të mërkurën gjatë një konference për media, pas një takimi me kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe nënkryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Zëvendëskryeministri, Kuçi ka bërë me dije se tërësia territoriale, kushtetuta dhe ligjshmëria e Republikës së Kosovës janë të pa prekshme. Sa i përket çështjes së veriut, Kuçi ka kërkuar një angazhim të forcave politike, dhe mekanizmave ndërkombëtar për tejkalimin e situatës së krijuar ne veri të vendit.

“Gjendja në veri është një gjendej e rëndë, kështu duhet të definojmë. Kjo gjendje është e trashëguar që 13 vite. Në veri është një gjendje që kërkon aktivizimin e të gjithë neve, në radhë të parë të institucioneve të vendit, por edhe të forcave politike, pastaj të faktorëve ndërkombëtar të cilët janë në Kosovë, që unë i ftoj të jenë më aktiv se sa po duken ditëve të fundit. Kërkohet një ndikim direkt i Uashingtonit dhe i Brukselit mbi qeverinë e Beogradit. Nuk është vetëm një aktor që vetëm me një lëvizje do të benë mrekullinë atje”, ka thënë Kuçi.

Për më tepër, ai është shprehur i bindur se kriminelët që po veprojnë në veri të vendit, një ditë, do të dalin para drejtësisë.

I pyetur, se a mund të rrezikohet ndërprerja e dialogut me Serbinë për shkak të incidenteve të fundit në veri. Kuçi ka vlerësuar se ngjarjet e fundit në veri do të ndikojnë në raportet ndëretnike, si dhe në raportet fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dua të ftoj të gjitha ata që janë ndikues direkt apo indirekt, të kuptojnë se zgjidhjet do të jenë institucionale përmes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Zgjidhje të tjera nuk mund të bëhen. Ndërsa sa i përket raporteve për veriun kanë ndikim direkt në raportet ndër etnike në Kosovë, fatkeqësisht dhe po ashtu ndikojnë në raportet Kosovë-Serbi. Jo vetëm në dialog por në tersi në çështjet të cilat kanë të bëjnë në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai

Ndërkaq duke folur për kërkesën e Lëvizjes Vendvendosje për dorëheqjen e qeverisë, Kuçi është përgjigjur duke thënë se kjo është detyre e opozitës për të kërkuar një gjë të tillë.

“E kam dëgjuar një deklaratë se duhet me dhënë dorëheqjeje, ministri, kryeministri, qeveria. Nëse thua kryeministri nuk ki nevojë me lyp ma shumë, nëse thua qeveria s’ke nevojë të thuash më shumë. Por opozita e ka detyrë . Në demokraci edhe emërimi edhe shkarkimi i qeverisë në mënyrë demokratike shkon me vota. Kur t’i sigurojnë votat le të vazhdojnë”, ka thënë ai.

Sa i përket dialogut me qytetarët serbë të veriut, ai ka thënë se dialogu do të zhvillohet, por duke u respektuar në tërësi integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës. Ai ka ripërsëritur se në asnjë mënyrë nuk do të ketë negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje të brendshme të vendit

“Unë e kam dhënë një sqarim të duhur dhe po e përsëris prapë se qeveria e Kosovë ka shprehë gatishmëri dhe është e gatshme që të dialogoj me qytetarët e vet të cilët kanë një breng. Por ajo nënkupton se do të kemi një qasje, për zbatimin e pakos së Ahtisaarit, të kushtetutës së Republikës së Kosovës, por jo dialog mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet të brendshme të Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Ai ka shtuar se qëndrueshmëria e qeverisë së Kosovës për të tejkaluar problemet në veri varet shumë edhe nga vullneti i bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në tejkalimin e gjendjes së krijuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas tij, dallimet në këtë drejtim në mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar janë, se qeveria e Kosovës po mendon për të mirën e Kosovës, ndërsa faktorin ndërkombëtar për të mirën e rajonit. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›