E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Kosova shembull i mirë për bashkëpunimin rajonal

Prishtinë, 26 gusht - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, priti sot prof. Graham Avery, hulumtues për reformimin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian. Me këtë rast, ata biseduan për  perspektivën e Kosovës në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri Kuçi është shprehur se prioriteti dhe politika nacionale  e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim Kosova është duke i përmbushur kriteret e kërkuara në fushën juridike, politike dhe ekonomike.

"Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Komision Evropian dhe mekanizmat e tjerë të Bashkimit Evropian. Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë bërë këtë akoma, do të përshpejtonte rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian", ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Kosova është e përkushtuar të tregojë shembull te mirë të bashkëpunimit rajonal në fushën e integrimeve evropiane. Të gjitha shtetet e rajonit mund ta ndihmojnë njëra tjetrën në procesin e integrimit, dhe ne ftojmë Serbinë që të mos pengojë procesin integruese të rajonit në Bashkimin Evropian, është shprehur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai ka njohur profesorin Avery me angazhimin e Qeverisë së Kosovës
për të plotësuar sfidat që dalin nga Raporti i progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, duke shprehur bindjen se raporti i këtij viti do të jetë një raport pozitiv duke hapur rrugë ne fushën e liberalizimit të vizave, marrëveshjeve tregtare dhe dialogut të stabilizim-asociimit.

Profesori Graham Averie ka shprehur vlerësimin e tij për të arriturat e Kosovës. Ai ka shprehur edhe optimizmin e tij për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe qasjen pozitive të BE-së për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›