E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kundër shkëmbimit të territoreve

Prishtinë, 26 gusht - Prishtina zyrtare hedh poshtë mundësinë që të hyjë në biseda me Serbinë për shkëmbim territoresh apo autonominë e veriut të territorit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me Serbinë mund të ketë vetëm bashkëpunim ndërshtetëror.
“Nuk do të ketë në asnjë rrethanë, as shkëmbim territoresh, as autonimi e as biseda me Serbinë për çështjet e serbëve të Kosovës. Me Serbinë do të ketë vetëm partneritet ndërshtetëror”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së vendit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Komentet e kryeministrit Thaçi erdhën pas publikimit të raportit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, i cili sugjeron tri, siç thuhet zgjidhje të përfytyrueshme për veriun e Kosovës, të cilat mund të arriheshin gjatë bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar.
Plani i Ahtisaarit, autonomia më e zgjeruar dhe shkëmbimi i territoreve, janë sipas ICG-së tri mënyrat se si mund të zgjidhej problemi i veriut të Kosovës.
Mirëpo, Thaçi tha se për institucionet kosovare vlen vetëm Kushtetuta e Kosovës, ligjet e vendit dhe plani Ahtisaari.
“Dokumenti i presidentit Ahtisaari, Kushtetuta dhe ligjet tona janë baza e fuqishme e
shtetndërtimit tonë”, theksoi Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›