Krimi i paralajmëruar
Refik Zairi (24), i cili është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e kushëririt dhe fqinjit të tij pesëvjeçar, Nijazi Ibrahimi, e kishte kërcënuar disa herë me hakmarrje familjen e viktimës.
Banorë të fshatit Miratoc të Preshevës kanë thënë se krimit monstruoz i kanë paraprirë fjalosje të ashpra. Sipas tyre, dy familjet janë një kohë të gjatë në marrëdhënie jo të mira.
“Refiku është grindur me ta vazhdimisht. Madje, një ditë para se të ndodhë vrasja, ai është fjalosur me familjarët e Nijaziut te rrethoja e oborrit të tyre. Të gjithë kemi dyshuar se diçka me të nuk është në rregull. Shpesh shëtitej nëpër fshat shumë nervoz. Me kohë e morëm vesh se ka probleme psikike, por kurrë s’na ka ardhur ndërmend se mund t’ia bëjë ashtu një fëmije”, ka thënë një banor i fshatit për gazetën “Press”.
Sipas një fqinji tjetër, familjes së vogëlushit Refiku i ka hedhur shpesh në oborr pjesë kafshësh të therura dhe i ka kërcënuar se do të hakmerret.
Ai, po ashtu, shpesh e ka spërkatur me gjak rrethojën dhe derën e oborrit të Ibrahimëve. “Para derës u hidhte edhe rroba të ndryshme, të cilat ndonjëherë i varte edhe nëpër mure”, ka thënë për gazetën “Kurir” një fqinj tjetër i familjes, Imer N.
Sipas tij, ka ndodhur që Refiku me orë të tëra të qëndrojë përpara dhe ta vështrojë shtëpinë e Ibrahimëve.
I dyshuari për prerjen në qafë të vogëlushit është mbrojtur në heshtje, kur është marrë në pyetje nga autoritetet.
“Të gjitha dëshmitë që i kemi mbledhur deri tash tregojnë se Refiku e ka mbytur vogëlushin në mënyrë të tmerrshme. Ditën e kobshme, ai së pari e ka mashtruar fëmijën dhe dërguar në shtëpinë e braktisur, e më pas, para se ta presë në qafë, e ka torturuar”, ka thënë një burim nga policia.
Ditën e krimit, bashkëfshatarët e kishin parë Refikun shumë të shqetësuar.
“Dukej si të ishte në trans. Dy-tri herë ka kaluar rrugës, nëpër të cilën Nijaziu i vogël kthehej çdo ditë nga shkolla”, thotë një fshatar.
E për mënyrën e vrasjes së vogëlushit, një kushëri i tij thotë se Refiku ka dëshiruar të tregojë se atë e ka prerë si një kafshë.
Gjykata e Vranjës ia ka shqiptuar Refikut masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar.