E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuci: Prishtina pret ndihmën e OKB-së për veriun e Kosovës

PRISHTINE- Qeveria e Kosovës nëpërmjet një deklarate të Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi i ka cilësuar si reale shqetësimet e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për veriun dhe ka ftuar OKB-në që t’i ndihmojë autoritetet vendore në zbatimin e strategjisë për integrimin e pjesës veriore.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Kosova do ta mirëpresë mbështetjen ndërkombëtare për normalizimin e gjendjes në veri, përfshirë edhe ndihmën e Kombeve të Bashkuara për zbatimin e strategjisë për integrimin e kësaj pjese.

“Natyrisht që brenga për veriun është brengë e të gjithë neve, por besoj se strategjia për veriun është zhvillim demokratik në atë pjesë të Kosovës dhe aty presim ta kemi ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe të OKB-së”, u shpreh Kuçi.

Kreu i OKB-së në raportin e tij i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë kujdes në zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës. Ai u bën thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe atyre në Beograd që t’i mbështesin përpjekjet e UNMIK-ut për vendosjen e dialogut etnik në Kosovë.

Dokumenti nënvizon se “qëndrueshmëria afatgjate dhe zhvillimi i Kosovës e rajonit lidhen me një proces të suksesshëm pajtimi mes bashkësive”. Po ashtu, raporti nënvizon se në Kosovë nuk ka pasur rritje të numrit të incidenteve ndëretnike krahasuar me raportin e para tre muajve.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›