E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Rezoluta 1244 është ende gjallë

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se pranimi i Kosovës që në nismat rajonale të përfaqësohet edhe me Rezolutën 1244, ka për tendencë vetëm përfaqësimin rajonal dhe jo organizimin e brendshëm. Ai theksoi se pranimi i kësaj fusnote nuk është duartrokitur nga institucionet, por sipas tij ka qenë harmonizim i qëndrimeve me SHBA-në dhe BE-në.

Këto deklarata numri dy i Qeverisë i bëri pas mbledhjes së Qeverisë, me ç’rast nuk ka dashur të komentojë se a do të përfaqësohet Kosova në nismat rajonale edhe pa Deklaratën e Pavarësisë, siç përfolët, derisa ende është duke u zhvilluar ende dialogu për këtë çështje.

I pyetur se cila nga përshkrimet e fusnotës ka peshën më të madhe, Kuçi ka thënë se në kuptimin juridik Deklarata e Pavarësisë ka ndikim më të madh, por ai ka pranuar faktin se Rezoluta 1244, ende është gjallë.

“Kjo është çështje e balancave edhe politike dhe juridike. Në kuptimin juridik për neve ka më shumë ndikim Deklarata e Pavarësisë, por ende është gjallë Rezoluta 1244”, ka thënë ai.

Sipas Kuçit, Rezoluta 1244, pas 15 qershorit 2008, pasi ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës nuk ka qenë e nevojshme, porse nuk ka qenë në dorën e institucioneve të Kosovës. Ai ka shtuar se ka nevojë që rezoluta të shfuqizohet, por sipas tij Këshilli i Sigurimit nuk ka mundur të bëjë këtë, pasi që ka paraqitur pengesë Rusia dhe Kina.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka shprehur qëndrimin e qartë dhe delegacioni i Kosovës në Bruksel e ka mandatin të mbaj atë qëndrim. Sipas Kuçit, kjo marrëveshje është për përfaqësim rajonal dhe jo për organizim të brendshëm të Kosovës.

“Kjo është pjesë e tendencës për të arritur marrëveshje për përfaqësim rajonal, jo për organizim të brendshëm qoftë territorial, kushtetues apo tjetër. Kjo ka të bëjë me një marrëveshje si marrin pjesë dy shtete në forume rajonale. Fatkeqësisht 1244 fatkeqësisht për shumë kënd ka funksionuar”, ka thënë ai.

Më tutje, Kuçi këtë e ka quajtur zgjidhje të balancuar dhe sipas tij zgjidhje e balancuar nënkupton edhe kompromisin. Por, këtë herë Kuçi e pranon që kjo marrëveshje nuk është duartrokitur nga institucionet e vendit, por ka qenë harmonizim i qëndrimeve me faktorin ndërkombëtar.

“Gjithsesi duhet të them nuk e kemi apllauduar një zgjidhje të tillë dhe do të ishte jo e mirë të pranojmë. Por kemi qenë serioz, kemi qenë të vëmendshëm dhe kemi qenë pajtues me qëndrimet e partnerëve ndërkombëtar. Nuk kemi dialoguar dhe nuk jemi pajtuar me qëndrimin e Serbisë. Jemi pajtuar me qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së”, ka theksuar Kuçi.

Ai ka shprehur bindjen e tij se proceset e ardhshme do të dëshmojnë, sikur shumë herë deri më tani që do të jenë zgjidhjet e balancuara e të mbështetura nga partnerët ndërkombëtar me të cilët varet edhe qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës, varet edhe pavarësia e Kosovës edhe liria.

Gjithashtu ai ka shtuar se çdo marrëveshje ndërkombëtare i ka format e veta të ratifikimit, në Kuvend të Kosovës ose nga presidenca. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›