Mourinho: S’jam i kënaqur, por s’është keq

‘Los Blancos’ dukej se do ta arrinin një fitore solide prej 1:0 në Luzhniki Stadium falë golit të shënuar nga Cristiano Ronaldo në pjesën e parë, por gjithçka ndryshoi në minutat shtesë të lojën, kur Pontus Wernbloom i barazoi shifrat.
“Pa bërë diçka jashtë kësaj bote, ne do të duhej të ishim të aftë ta shënonim golin e dytë. Por, ky nuk është rezultat i keq. Duke e kontrolluar lojën dhe duke pësuar gol aq vonë, të lë gojëhapur, por kjo nuk është dramë. Nuk jam i lumtur, por nuk është aq keq”, tha trajneri portugez, i cili megjithatë beson në kualifikim në çerekfinale.
“Vitin e kaluar, ndaj Lyonit ishte situatë e njëjtë dhe e menaxhuam mjaft mirë situatën, duke fituar në lojën e kthimit. Ne kemi besim se mund ta bëjmë të njëjtën gjë edhe tash”, përfundoi ai. Reali do ta presë CSKA-në në Santiago Bernabeu më 14 mars, në lojën e kthimit.