Kuçi: Viti 2009 ka qenë vit i zhvillimit dhe sukseseve
Prioritetet e qeverisë së Kosovës për këtë vit do të jenë rendi dhe ligji, zhvillimin ekonomik dhe prespektiva evropiane.
Kështu deklaron zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi sipas të cilit me qeverisjen e deritanishme në Kosovë është shënuar progres dhe është përmirësuar jeta e qytetarëve.
Mirëpo opozita thotë të kundërtën, pasi i vlerëson jo të mira proceset që po zhvillohen ne vend. Kosova e nisë këtë vit me buxhetin më të madh deri më tani, 1 miliardë e 461 euro, e anëtarësuar në Fondin Monetarë dhe Bankën Botërore ndërkaq pritet një rritje ekonomike rreth 5 përqind.
Zgjedhjet lokale u vlerësuan demokratike dhe të lira ndërkaq vendi themeloi edhe disa institucione të rëndësishme shtetërore. Zv. kryeministri Hajredin Kuçi thotë se viti 2009 ka qenë vit i zhvillimit dhe sukseseve të njepasnjëshme në qeverisje. Por vlerësimi i opozitës është i kundërt. Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re thotë se proceset në Kosovë nuk po zhvillohen mirë. Viti 2009 sipas tij e ka kthyer Kosovën mbrapa në shumë aspekte.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ky vit do të jetë vit i zhvillimit për Kosovën pasi njëra ndër prioritetet e saj është zhvillimi ekonomik. Zv kryeministri Kuçi thotë se prioritet i qeverisë do të jetë edhe perspektiva evropiane si dhe sundimi i rendit dhe ligjit.
Qeveria ka përgatitur edhe strategjinë legjislative për vitin 2010. Përgatitja e këtij dokumenti është bërë pas një procesi gjithëpërfshirës dhe pas konsultimit të raporteve dhe dokumenteve të ndryshme, siç është plani i veprimit për partneritet evropian, raporti të progresit për vitin 2009 etj. Projektstrategjia legjislative për vitin 2010 përmban 123 projektligje.