E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtohet çdo ide që tejkalon Pakon e Ahtisarit

Opozita parlamentare vazhdon të mendojë se me tërheqjen e njësive speciale nga veriu pas aksionit të 25 korrikut, Qeveria e Kosovës i ka bërë dëm të madh vendit dhe ka bërë që tani të ketë edhe zëra ndërkombëtarë që kërkojnë që veriu të jetë temë e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar nga ana tjetër, i quajnë demagogë dhe manipulues të ndjenjave të qytetarëve, ata opozitarë që kërkojnë të dalin mbi rezolutën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën janë përcaktuar vijat e qarta të dialogut teknik.

Reagimet e pozitës dhe opozitës kanë ardhur pas deklaratave të një dite më të parë të shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i cili ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të mendojnë për një dialog politik, pjesë e të cilit do të ishte edhe veriu, në mënyrë që të gjindet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë pjesë të vendit.

Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës mendon se për veriun, në asnjë mënyrë nuk mund të ketë tejkalim të dokumentit të presidentit Ahtisari, ngase sipas tij, asgjë tjetër nuk mund të funksionojë në Kosovë përtej këtij dokumenti.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni se ka presion ndërkombëtar për status special për veriun, por nëse do të ketë një të tillë, duhet të kundërshtohet fuqishëm çdo ide që tejkalon kornizat e Pakos së Ahtisarit, përderisa ka shprehur besimin se gjasat për rend dhe ligj në veri janë realiste, nëse ka një seriozitet dhe vendosmëri nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Janë tejmase realiste, nëse Qeveria e Kosovës demonstron vendosmëri dhe siguri dhe seriozitet dhe nuk i lë veprimet në gjysmë. Janë tepër serioze pritjet që atje do të vendoset rendi dhe ligji në rast se Bashkimi Evropian e kryen pjesën e vetë të punës dhe kjo është një presion i vendosur mbi Beogradin tani që Bashkimi Evropian e pranon që ka struktura të Serbisë në veri, ka nevojë për një presion vendimtar të Brukselit që përfundimisht Beogradi t’i zhbëjë ato struktura të veta në veri, dhe këtë Brukseli e ka shumë lehtë ta bëjë, pas nismës aq të vendosur që kancelarja merkel ma marrë gjatë vizitës në rajon”, ka thënë Hyseni.

Por, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje shkon përtej kritikave për seriozitet dhe mungesë të vullnetit të Qeverisë për veriun, duke thënë se edhe propozimi i Feithit për dialog politik për veriun është bërë në koordinim me Qeverinë e Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka parashikuar moti këtë rrezik dhe mendojmë që kjo është edhe në koordinim me Qeverinë e Kosovës, sepse Qeveria e Kosovës ka pasur rastin më 25 korrik që nëpërmjet një plani më strategjik dhe më të vendosur për ta shtrirë sundimin e ligjit dhe sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. Në vend që ta bëjë këtë, ka bërë një dëm shumë të madh për Kosovën, ka tërhequr forcat nga atje, vetëm ka provokuar një reagim serb atje, të strukturave paralele, një barrikadim total të veriut dhe tash me këtë që e ka bërë Qeveria e Kosovës po merret KFOR-i”, është shprehur Konjufca.

Konjufca madje thekson se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të rrijë duarkqyr karshi tendencave për ta bërë veriun temë të negociatave me veriun.

“Lëvizja vetëvendosje do të jetë këtu që ta parandalojë këtë gjë, që ta organizojë popullin dhe si shoqërinë, dhe si popull, t’i mbledhim të gjitha forcat që ta ndalojmë një qeveri të tillë, të papërgjegjshme për ta bërë temë të negociatave veriun e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Por shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka një përgjigje për opozitarë, e në veçanti për ata për të cilët ai thotë se shqetësohen për rezultatet e Qeverisë.

“Për ata të cilët mendojnë sinqerisht, me korrektësi, për interesat e qytetarëve të vendit, qëndrimet tona janë shumë të qarta. Jemi në Kuvendin e Kosovës si organi më i lartë vendimmarrës. Ne kemi një rezolutë që ka përcaktuar çka mund të bisedohet dhe për çka nuk mund të bisedohet. Çdo tentativë tjetër është e papranueshme. Ne nuk ia lejojmë vetes që të shkelim mbi vendimet e Kuvendit të Kosovës, ne i mbështesim ato dhe cdo tentativë tjetër është e papranueshme dhe të gjithë ata që deklarojnë ndryshe janë demagogë dhe manipulues me ndjenjat e qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht i zhgënjejnë edhe votuesit e tyre, të cilët e kanë pasur ëndërr zgjidhjen e drejtë të këtij problemi dhe ky problem ka hyrë në rrugën drejt zgjidhjes dhe është në pjesën përfundimtare”, ka thënë Grabovci.

Ndryshe, një ditë më parë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith ka kërkuar nga pala e Kosovës dhe ajo e Serbisë që të mendojnë për dialog politik, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për veriun e Kosovës. Ai ka thënë se situate në veri është shumë serioze dhe duhet maturi nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme përmes dialogut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›