E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre në pranga për grabitjen e furgonëve

Dibër

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë si autorë të dyshuar të grabitjes së furgonëve të udhëtarëve në linjën Peshkopi-Kala e Dodës. Burime nga policia e Dibrës konfirmuan për “Shqip”, se gjatë ditës së diel, në operacionin e koduar “Shumbati”, është bërë e mundur vënia në pranga e Marian Laçit 23 vjeç, Ndriçim Laçit 20 vjeç dhe Lamir Shehut 24 vjeç. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë grabitjesh, sidomos gjatë muajit të kaluar, të kryera prej tyre nën kërcënimin e armëve. Dyshohet se tre të rinjtë të maskuar dhe të armatosur u zinin rrugën furgonëve të kësaj linje, duke grabitur udhëtarët e rastit. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit policor për arrestimin e këtyre shtetasve, gjatë kontrollit atyre u janë gjetur sasi të mëdha municionesh luftarake, një motoçikletë, pesë celularë të vjedhur, maska etj. Ndërkohë mësohet se policia po punon për të zbardhur të tjera grabitje që dyshohet të jenë kryer nga këta persona, pasi aktiviteti i tyre mund të jetë i shtrirë edhe në akse të tjera rrugore rurale të Rrethit të Dibrës, sidomos në atë Peshkopi-Kukës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›