E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçovë, ngrohje me gazin e puseve, asfiksohet një çift

 KUçOVE - Asfiksohet nga gazi i puseve të naftës një çift nga Kuçova. Burrë e grua janë gjetur mesditën e djeshme në gjendje të rëndë, për shkak të helmimit nga gazi metan të cilin e përdornin për ngrohje. Ngjarja ka ndodhur në lagjen periferike "Dikatër" të Kuçovës, në banesën e Hysen e Hava Sulës, përkatësisht 64 dhe 60 vjeç. Ata kishin ndezur sobën me gaz për t'u ngrohur në këto ditë dimri, por disa minuta më vonë, ai ishte shpërndarë nëpër dhomë, duke u rrezikuar jetën. Sipas burimeve të policisë së Kuçovës, burrë e grua, të cilët jetonin të vetëm në shtëpi, kishin ngrënë drekën dhe ishin shtrirë për t'u qetësuar në të njëjtin ambient ku ndodhej soba e gazit. Në një moment, furnizimi me gaz prej nëntokës e dëri në banesën e çiftit Sula, rreth 15 m larg, është ndërprerë për disa minuta. Askush prej të zotërve të shtëpisë nuk e ka pikasur shkëputjen e gazit, pasi kanë qenë duke dremitur. Pas disa minutash gazi është rikthyer, por këtë herë soba nuk ka qenë e ndezur, çka ka bërë që ai të shpërndahet në dhomë. Një komshi që si zakonisht, kishte shkuar për të pirë një kafe në banesën e çiftit, fëmijët e të cilëve ndodheshin në emigracion, në Greqi, ka qenë dhe shpëtimtari. Sapo fqinji ka hyrë brenda ka ndjerë erën e rëndë të gazit, ndërsa burrë e grua qëndronin të shtrirë dhe pa asnjë reagim. Ai ka hapur me shpejtësi dyert e dritaret e shtëpisë për të dalë gazi, duke lajmëruar njëkohësisht ambulancën dhe policinë. Të dy personat janë transportuar për në urgjencën e spitalit të Kuçovës, ku sipas mjekëve kanë mbërritur pa ndjenja. Ata kanë konstatuar humbjen e tyre nga asfiksia, prej erës së gazit metan që kishin thithur deri në çastet kur i ka gjetur komshiu. Për shkak të gjendjes së rëndë, të helmuarit janë dërguar për ndihmë më të specializuar në spitalin e Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›