“Protestë nëse dështon tryeza”
Aristir LumeziKryetari socialist vazhdoi takimin e radhës me gazetarët dhe socialistët në qytetin e Durrësit. Përmes një paneli me gazetarë lokalë por dhe të ftuar nga Tirana, Rama i dha përgjigje pyetjeve të drejtuara duke sqaruar në të njëjtën kohë dhe të pranishmit për qëndrimin e PS-së ndaj procesit të negociatave dhe arsyeve për protestat e ardhshme. Në këtë takim ai përsëriti kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe kjo sipas tij, duhet bërë me hapjen e kutive të votimit. "Por ndërkohë asnjë zvarritje dhe vonesë, e qëllimshme ose jo, e këtij dialogu nuk mund të ndalë nga ana tjetër përgatitjen tonë për rrugën alternative të tryezës, që është rruga e protestave në rrugë", theksoi Rama. Kreu socialist shprehu gatishmërinë e opozitës për dialog. "Kutitë e votimit sot kanë peshë të madhe historike, sepse me to lidhet liria e medias, liria e pushtetit gjyqësor, liria e çdo qytetari për të menduar dhe vepruar në funksion të ambicieve të veta. Shqipëria sot është në krizë ekonomike që po thellohet përditë. Ky pushtet e grabiti popullin në 28 qershor për të vazhduar të grabisë Shqipërinë", deklaroi Rama. Pyetjes për djegien e mandateve të deputetëve në rast se opozita nuk hyn në Parlament deri në fillim të marsit, Rama u përgjigj se ky është një diversion i vazhdueshëm ndaj Partisë Socialiste, duke thënë se mandatet nuk do të digjen. "Nuk mendoj se Sali Berisha ka ndonjë merak. Fiton ai që merr votën e lirë dhe të numëruar ndershmërisht të shqiptarëve, dhe jo ai që njollos dhe e deformon falë vënies së shtetit në shërbim të pushtetit", vijoi Rama.Rama u shpreh se pas bërjes transparente të kutive të votimit, opozita do t'i kthehet betejës parlamentare. "Nëse hapen kutitë e votimit dhe bëhet transparencë, ne në bazë të asaj që do dali nga kutitë e votimit, do t'i drejtohemi organeve të drejtësisë dhe do të kërkojmë që çdo person përgjegjës për deformimin të përgjigjet para organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojmë luftën tonë demokratike në parlament të ulur në karriget e opozitës", u shpreh Rama. Sipas Ramës tryeza nuk duhet të jetë një arenë ku të zhvillohet beteja mes gladiatorëve, që njëri të dalë fitues e tjetri humbës. Në këtë tryezë, nënvizoi ai, shkohet për të tentuar mirëkuptimin. "Ne nuk shkojmë në tryezë për të zhvilluar një betejë gladiatorësh, ku njëri duhet të fitojë dhe tjetri të gjunjëzohet, përkundrazi shkojmë në tryezë për të tentuar mirëkuptimin lidhur me domosdoshmërinë që kjo e drejtë të vendoset", u shpreh më tej lideri socialist.Përgjigjet e Edi Ramës Kërkesat tona nuk përmbajnë asnjë element imponimi Nuk synojmë përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë. Të gatshëm të ulemi në çdo moment që Presidenti i Republikës do ta thërrasë këtë tryezë Do të kërkojmë me këmbëngulje zgjidhjen në tryezë përmes hapjes së kutive të votimit. Asnjë zvarritje apo vonesë e qëllimshme e këtij dialogu nuk mund të ndalë përgatitjen tonë për protestat në rrugë Ne nuk shkojmë në tryezë për një betejë gladiatorësh, ku njëri të triumfojë dhe tjetri të gjunjëzohet Pas hapjes së kutive, do të vazhdojmë luftën tonë demokratike në parlament të ulur në karriget e opozitës