E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si kripa në ujë

Edmond Tupja Po, po, tamam si kripa në ujë duhet të tretet, të zhduket, për të mos rënë më në sy. E kam fjalën për mllefin ...urrejtjen gati patologjike që po vëmë re prej disa kohësh në debatin Berisha-Rama dhe, më gjerë, midis PD-së e PS-së lidhur me hapjen e kutive të votimit, pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar; sidoqoftë, këtë e kërkojnë sot një pjesë e mirë e shqiptarëve të lodhur nga ky mllef, nga kjo urrejtje gati patologjike, por, me gjithë ndërhyrjen e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, me gjithë përpjekjet e disa personaliteteve vendase, Edi Rama këmbëngul ta mbajë të ndezur zjarrin e këtij mllefi, e kësaj urrejtjeje gati patologjike, duke i penguar deputetët e partisë së vet të kthehen në Kuvend. Pak rëndësi ka arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të tij: etje për pushtet e pakushtëzuar dhe/ose e përllogaritur mirë apo reminishencë revanshiste e dhunshme e trashëguar, ndoshta edhe pa vetëdije, nga pesëdhjetë vjet diktaturë hoxhiste, imponim çmendurak i unit pas një dështimi të pakthyeshëm në profesion e jetë familjare, apo kompleks inferioriteti i rrënjosur thellë në nënvetëdije që nga fëmijëria e hershme apo që nga adoleshenca problematike, frustrime të përsëritura apo babëzi për të hyrë në Histori (shih rastet e Neronit, Hitlerit, Leninit, Stalinit dhe të E. Hoxhës) etj. etj. Sapo thashë që pak rëndësi ka kjo, sepse, në fund të fundit, çdo njeri ka komplekse, frustrime, shije të hidhura dështimesh thelbësore, qoftë vetëdijshëm, qoftë pavetëdijshëm, por çdo njeri duhet të ruhet pikërisht nga ky grumbullim agresiviteti, sidomos kur është në krye të një shteti, pushteti, parlamenti, bashkie, ministrie etj., etj. me një fjalë, kur ka në dorë e ndoshta nën këmbë jetën e mijëra, qindra mijëra, miliona njerëzve dhe sidomos kur këta njerëz janë shqiptarë të dalë nga një parahistori komuniste me prejardhje joevropiane.U desh, pra, këmbëngulja e rreptë e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, që të dy palët të pranonin "kujdestarinë" e Presidentit Topi, për t'u ulur në tryezën e bisedimeve. Edhe kësaj radhe, siç e tregon përvoja historike e vendit - le të kujtojmë vitin 1997, - shqiptarët nuk duket se mund të dalin nga grindjet, përplasjet, përleshjet, përfytjet, përbishtjet, kacafytjet e zënkat e tyre pa ndihmën e të huajve. Gjithsesi, duke shpresuar që, më në fund, përpjekjet e lartpërmendura do të kurorëzohen me njëfarë suksesi, në mënyrë që konflikti Berisha-Rama, pra, PD-PS, të mos zgjidhet me dhunën e rrugës apo me rrugën e dhunës, por me dialog, le të ëndërrojmë që, së shpejti, ai do të jetë vetëm një kujtim i hidhur - një më shumë - nga historia e pamëshirshme dhe tragjikomike e politikës shqiptare.Por a thua vërtet të tretet, të zhduket si kripa në ujë, të paktën për disa kohë, mllefi, urrejtja gati patologjike që dy liderët në fjalë i dhurojnë përzemërsisht njëri-tjetrit? Sigurisht kripa tretet, por a zhduket ajo realisht në ujë? Për shqisën e të parit po, pa diskutim, për atë të të dëgjuarit dhe atë të të nuhaturit gjithashtu, por jo për atë të të shijuarit. As për peshoren e psikologut, e analistit, e politologut apo të historianit. Kështu që, me kalimin e kohës, nëse uji do të ngopet, tejngopet me kripë, mjafton të ndryshojë klima e politikës shqiptare, që kjo kripë e mllefit, e urrejtjes gati patologjike midis liderëve blu dhe rozë apo bardh e zi, pavarësisht identiteteve të tyre individuale, të nisë sërish të depozitohet dukshëm për sytë e shqiptarëve, si edhe të të huajve. Dhe atëherë historia do të rrezikojë të përsëritet, ndoshta edhe më keq, të belbëzojë jo më si një fëmijë që mëson të flasë, por si një plakë e rrjedhur nga trutë që llomotit, llomotit pafundësisht duke vjellë mllef, urrejtje gati patologjike për plakën tjetër, për plakat e tjera të azilit tonë kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›