Vlorë, atentat këshilltarit të PS
VLORE/ QEMAL BIRAKUAnëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Morand Hoxha, u plagos rëndë mbrëmjen e djeshme, pasi në makinën e tij ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi C4. Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00, në lagjen "Isa Boletini" të qytetit bregdetar, në kohën kur 38-vjeçari po tentonte të hipte në makinën e tij të parkuar buzë rruge. Fuqia e shpërthimit ka qenë e madhe, sa ka shkatërruar plotësisht mjetin tip "Benz" 240 në pronësi të Hoxhës si dhe makinat e tjera të parkuara ngjitur me të e xhamat e pallatit përballë. Si pasojë e forcës shpërthyese, Hoxha ka marrë plagë të rënda, duke u transportuar menjëherë drejt urgjencës së spitalit të Vlorës e më pas në sallën e operacionit. Forca të shumta të policisë së Vlorës u nisën drejt vendit të ngjarjes, pranë shkollës 9-vjeçare "Ismail Qemali". Në ato momente, për shkak të errësirës dhe orës së mbrëmjes nuk ka pasur shumë lëvizje, pasi numri i të lënduarve do të ishte i madh. Dyshohet se autorët kanë shfrytëzuar pikërisht këta faktorë për të realizuar planin e tyre. Duket se ata kanë ruajtur lëvizjet e këshilltarit socialist, duke arritur të vendosin lëndën plasëse e ta aktivizojnë atë në momentin kur Hoxha po i afrohej makinës së tij. Policia nuk ka dhënë ndonjë pistë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, duke u përqendruar në gjetjen e sa më shumë provave që do ta çojnë drejt autorëve. I vetmi dëshmitar i shpërthimit dhe që do të hedhë dritë mbi motivet e vendosjes së eksplozivit është vetë Morand Hoxha. Nisur nga sasia e madhe e lëndës së fuqishme plasëse C4 dyshohet se autorët kanë pasur si qëllim eliminimin fizik të tij. Mësohet se 38-vjeçari e kishte parkuar makinën në pjesën mes pallatit ku banon dhe shkollës. Ai ka zbritur nga pallati, duke iu drejtuar makinës, por kjo lëvizje është shfrytëzuar nga autorët, për të komanduar shpërthimin. Morand Hoxha ka qenë arrestuar në prill të vitit të shkuar nga policia e Vlorës, pasi u ndalua për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në makinën e tij iu gjet arma e zjarrit, TT. Në momentin e arrestimit, Hoxha pohoi se pistoletën e mbante për vetëmbrojtje, për shkak të një konflikti që ai nuk e bëri të ditur. Pas pak ditësh ai është lënë i lirë, por duket se frika e tij një vit më parë ishte e bazuar, duke i rrezikuar jetën mbrëmjen e djeshme. Pritet që dëshmia e tij dhe e familjarëve do të zbardhë dhe shkaqet e konfliktit, prej të cilit të mund të arrihet dhe tek emrat e autorëve.