E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Në tryezë jo si në duelet e mesjetës, ku fiton vetëm njëri

 Aristir Lumezi"Tryeza e Presidentit kërkon vullnet për daljen nga kriza". Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë ekskluzive në "Panorama" shprehet se në tryezën e dialogut, të iniciuar nga Presidenti i Republikës, palët nuk duhet të ulen për të asgjësuar njëri-tjetrin. Duke folur për bojkotin e Parlamentit, Malaj thotë se hyrja në Kuvend e tij dhe e kolegëve që mendojnë si ai, nuk do të thotë "kundërvënie ndaj protestave apo bojkotit të kolegëve tanë", ndërsa shprehet se nëse vendimi përfundimtar do të jetë bojkoti i Parlamentit dhe zgjedhjeve vendore, kjo do të shkaktojë një kosto të rëndë dhe afatgjate për PS-në.Ditët e fundit, janë shtuar zërat në PS, përfshirë dhe kryetarin socialist Edi Rama, që cilësojnë deputetët të cilët kërkojnë dhënien fund të bojkotit, përfshirë dhe ju, se veprimet tuaja përputhen me ato të Sali Berishës. Si do t'i vlerësoni këto deklarata?Ne nuk i kemi paragjykuar apo akuzuar kolegët tanë edhe pse nuk jemi dakord me qëndrimin e tyre, që nuk është thjesht solidaritet partiak dhe aq më pak mund t'i shitet publikut si certifikatë besnikërie ndaj PS-së. Patjetër ndjej keqardhje për ata që kërkojnë të plotësojnë dosjen e kuadrit, duke akuzuar kolegët e tyre si rruga më e shkurtër për mbijetesë apo karrierë personale. Jam i bindur që duke u vet-keqpërdorur, (disa prej tyre nuk e kanë për herë të parë), ata kanë përcaktuar vlerën e tyre edhe politike. Ata nuk duhet të mërziten, kur shumë shpejt do t'iu rezultojë se çmimi real publik apo politik do të jetë shumë më i ulët sesa ata pretendojnë. Përsëri nuk do të gëzoja nëse për disa prej tyre, ky çmim do të jetë si për mallra të dorës së dytë. Në kohë krize, ekspertët këshillojnë të mos shesësh, as vetveten, sepse ka pak blerës dhe bie shumë çmimi. Për ata që kërkojnë përjashtimin e kolegëve që mendojnë ndryshe, më kujtohet një moment nga kryevepra e Orëellit, ku përsëritja e refrenit: "Do të punojmë/shajmë më shumë" dhe "Shoku Napolon ka gjithmonë të drejtë", përbëjnë thelbin aktual të kontributeve të tyre politike. Deficiti i kredibilitetit sot po rezulton shumë shqetësues në ekonomi dhe politikë. Në eksperienca të ngjashme, kur për çdo debat brenda partive kolegët që debatojnë shpallen agjentë, spiunë, tradhtarë, tregon se gjithnjë e më shumë aty mbisundon ndjesia e dështimeve dhe pasiguria e fitoreve. Radikalizimi mbetet në këto raste strategjia e mbijetesës personale politike edhe pse kjo dëmton rëndë forcën politike, së cilës i detyrohemi të gjithë. Jam i bindur që jo vonë do të qartësohet se të përbetuarit personalë do të pakësohen, ndërsa akuzat për tradhti ndaj PS-së dhe shërbim ndaj Berishës do të rezultojnë banale. Kjo garë shpifjesh vetëm e dëmton lidershipin e PS dhe vetë PS-në. Lidhur me dhënien fund të bojkotit, si një vendim që duhet diskutuar dhe marrë nga deputetët socialistë, Edi Rama u shpreh dje se ka marrë mbështetjen e të gjithë socialistëve që e votuan atë në rikandidimin për kryetar partie, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Mendoni se ky është një argument që justifikon vazhdimin e bojkotit me Parlamentin?Në politikë është e lehtë për të keqpërdorur solidaritetin dhe unitetin e anëtarësisë së çdo force politike. Në politikë po bëhet gjithnjë e më i lehtë keqpërdorimi i anti-korrupsionit, proteksionizmit, anti-globalizimit për fitore elektorale apo për mbijetesë personale. Por, kjo rezulton të jetë një mbijetesë vetëm individuale, duke keqpërdorur pa limit shpresën, përkushtimin dhe solidaritetin, jo vetëm të anëtarësisë së çdo force politike. çdo socialist që ka sado pak përvojë partiake, përkushtim qytetar dhe formim politik, e ka të qartë që për çështje kaq jetike, nëse vendimi përfundimtar do të jetë bojkoti i Parlamentit dhe zgjedhjeve vendore, kjo do të shkaktojë një kosto të rëndë dhe afatgjate për PS-në.Zëra nga deputetët socialistë, përfshirë dhe sekretarin për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, shprehen se PS do të ndajë çështjen e mandateve nga vazhdimi i bojkotit, që le të kuptosh se deputetët do të hyjnë për të bërë betimin dhe do të dalin jashtë Kuvendit për të vazhduar bojkotin. Si do ta gjykonit një veprim të tillë, ashtu siç artikulohet deri në këtë fazë?Këto veprime taktike dëmtojnë rëndë misionin dhe objektivin strategjik të PS-së, për të qenë një forcë politike progresiste dhe bindëse, si kur është në qeverisje, ashtu edhe kur është në opozitë. Nuk dua të besoj dyshimin e disa kolegëve dhe analistëve të ndryshëm, se futja në Parlament është thjesht nga frika e shpërbërjes së grupit parlamentar. Hyrja do të rezultojë një veprim taktik për të fshehur një dështim dhe jo një angazhim për opozitë efektive, si pjesë e një strategjie suksesi të Partisë Socialiste. Në këto hyrje/dalje mungesa e vizionit, mungesa e lidershipit, mungesa e strategjisë së fitores, fshihen me fshehjen e sfidave reale të PS. Këto ditë Presidenti Obama mbajti një fjalim për sfidat e vendit, ku u drejtoi një mesazh konkret republikanëve që kanë arritur shumicën bllokuese në senat: "Ju mund të bllokoni çdo iniciativë të demokratëve, kjo mund të jetë një strategji e mirë afatshkurtër, por ky nuk është lidership".Nëse kjo do të ndodhë, ju do të vazhdoni t'i bëni opozitë qeverisë aktuale, apo do t'i bashkoheni këtij vendimi politik të grupit socialist?Ne kemi bërë dhe do të bëjmë opozitë ndaj Qeverisë, si përgjegjësi ndaj sfidave të vendit tonë dhe në plotësim të mandatit politik që votuesit na kanë besuar. Ne vlerësojmë se Qeveria dështoi me standardet evropiane të zgjedhjeve dhe jemi të shqetësuar që keq-qeverisja favorizohet nga mungesa e opozitës parlamentare. Ne trishtohemi që shqiptarët për shkak të keq-qeverisjes humbën mundësinë e heqjes së vizave. Ne shqetësohemi që vendi mund të vonohet në marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne shqetësohemi për korrupsionin me të ardhurat, shpenzimet dhe investimet e buxhetit. Ne po mundohemi të jemi një zë profesional publik për dështimet e Qeverisë dhe për risqet në rritje të rritjes së varfërisë në vendin tonë. Ne nuk kërkojmë që të shkojmë në Parlament për t'iu kundërvënë protestave apo bojkotit të kolegëve tanë. Ne vlerësojmë se duhet të shkojmë me një platformë të qartë për reformat e domosdoshme kushtetuese, zgjedhore, pse jo edhe administrative, si edhe për të ndihmuar që të ndalohet sa më parë radikalizimi i PS. Mendoni se PS po rrit qëndrimin radikal ndaj maxhorancës, duke vështirësuar zgjidhjen e krizës?Kam deklaruar dhe do të deklaroj publikisht se PS nuk ka nevojë të vijë në pushtet nëpërmjet apo kryesisht krizave politike apo ekonomike. PS nuk ka nevojë të ketë krizat aleate për të fituar zgjedhjet edhe pse këto i krijon maxhoranca/qeveria. Në historinë e saj dhe me burimet e saj njerëzore, PS ka baza të forta për fitore të sigurta elektorale. Nëse bazohet tek avantazhet e saj, te zgjerimi i koalicioneve, te karriera me meritë e përfaqësuesve të saj politikë, nëse orientohet në vendimet dhe veprimet politike nga përgjegjësia ndaj vendit dhe jo nga padurimi i disa individëve, PS i ka të sigurta fitoret e ardhshme elektorale dhe do të ofrojë efikasitet në qeverisjen vendore dhe qendrore. Pak ditë më parë, disa anëtarë të grupit parlamentar të socialistëve spanjollë, bojkotuan miratimin e buxhetit të Qeverisë Zapatero, të partisë së tyre, duke reaguar publikisht se ky buxhet shkakton një krizë të thellë në ekonominë e vendit të tyre. Një ekspert politik spanjoll argumentonte se duhej shmangur kriza, (duhej rishikuar buxheti, jo duhej përjashtuar ata që e kundërshtuan) duke qartësuar se, ne spanjollët na duheshin rreth 25 vjet për të dalë nga kriza e thellë e viteve '70. Ka shumë shembuj konkretë që vërtetojnë se jo gjithmonë në politikë, shumica numerike është argument për të drejtën e tyre në një debat për sfidat që ka një forcë politike apo një vend. Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KiE-së shprehet se maxhoranca duhet të mundësojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, por pa prekur vendimet e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore. Si e komentoni këtë pikë të rezolutës, ndërkohë që kreu i PS këmbëngul në hapjen e kutive përmes një komisioni hetimor, për të cilat ka dhe një vendim të Kolegjit Zgjedhor?Kur ka një krizë kërkohet një zgjidhje. Fjala krizë, sipas përdorimit të saj në greqishten e lashtë, nënkupton mundësi, e cila duhet të jetë pikënisja e një zgjidhjeje dhe jo një dritë e fikur në fund të tunelit. Gjithmonë ka një mundësi. Debati aktual është se cili variant negociues është më i mirë, në këndvështrim afatgjatë dhe në raport me sfidat e vendit. Ka një opsion negociatash "win-win", ku çdo palë fiton duke lëshuar diçka nga qëndrimet kategorike. Ka dhe një opsion tjetër të qëndrimeve strikte, ku secila palë kërkon të fitojnë 100% dhe fitimi për palën tjetër të jetë zero. Në opsionin e dytë, që është më afër realitetit aktual shqiptar, negociatat ose zvarriten gjatë, ose dështojnë disa herë, ose fituesi i radhës është i tillë vetëm përkohësisht, ndërsa realisht me fitoren e tij ka përshpejtuar humbjen jo vetëm të tij. Në raport me detyrimet ndaj vendit dhe ndaj forcës time politike, në raport me kostot që po krijon kjo situatë politike, parapëlqej opsionin "win-win". Në opsionin e parë, në negociata kërkohet lidership, në opsionin e dytë, mbisundon tradita shqiptare e të bërit politikë, ku qëndrime kategorike bëhen katalizatore të krizave politike që krijojnë krizat e rënda ekonomike dhe sociale.Si shikoni e rolin e Presidentit të Republikës në ndërtimin e një procesi dialogu mes maxhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike?është në përputhje të plotë me misionin që Kushtetuta e vendit i jep Presidentit. Unë besoj se edhe personalisht Presidenti Topi gëzon vlerësimin publik për të garantuar kredibilitetin e domosdoshëm të negociatave. Për fat të keq ndjehet qartë se PD nuk kërkon t'ia njohë këtë mision dhe këtë mandat Presidentit Topi. Kjo tregon se kriza e maxhorancës është akoma më e thellë.Partia Socialiste kërkoi vetëm një tryezë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke përjashtuar çdo nivel tjetër, siç ka ndodhur edhe më parë në negociata të tilla. Në gjykimin tuaj, sa e mundshme është arritja e një zgjidhje në këtë format?Në negociata nuk shkohet si në duelet e mesjetës, ku palët pasi nuk merren vesh ftojnë njëri-tjetrin në një duel, ku qëllohet për vdekje drejt njëri-tjetrit. Zakonisht në mesjetë për duele të tilla zgjidheshin lëndina pyjesh, por jo zyra presidentësh.Palët mund të negociojnë në çdo nivel tjetër për të lehtësuar arritjen e një zgjidhjeje. Kur kjo zgjidhje është shumë afër dhe kur njihen disa opsione alternative të diskutueshme, Presidenti ka misionin për të lehtësuar rikthimin e besimit te palët dhe për të qenë garant i marrëveshjes në implementimin e saj.Gjykoni se ka ngërç në mosmbledhjen e forumeve si kryesia, asambleja dhe grupi i deputetëve, për të vendosur se çfarë do të kërkohet në negociata, deri ku do duhet të shkojnë kërkesat e PS për të gjetur një dalje nga situata aktuale?Mbledhja e forumeve, diskutimi i opsioneve, afrimi i personaliteteve, jo vetëm partiake, që lehtësojnë ndërtimin e një strategjie për negociatat dhe daljen nga ky ngërç politik, janë jo thjesht të detyrueshme për respektimin formal të statutit, por të domosdoshme nëse realisht ndjehet përgjegjësi për daljen nga cikli i krizave politike dhe ekonomike. Më vjen mirë që lëvizja jonë e ka gjallëruar diskutimin për sfidat e PS-së. Shpresoja dhe shpresoj se disa personalitete të PS mund ta ndihmojnë më shumë suksesin e PS, duke u fokusuar te problemet e funksionimit të saj dhe te risku i radikalizimit të saj. Këshilli i Evropës është shprehur se do të nisë shumë shpejt në Shqipëri përfaqësuesit e saj më të lartë për të gjetur një zgjidhje. Pas 20 vjet pluralizëm, si ju duket riangazhimi i ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizave të brendshme politike?Nuk e paragjykoj, edhe pse një rast konkret mund të vlerësohet si papjekuri politike e lidershipit të vendit tonë. Pra është një test që demokracia funksionale, nuk funksionon në lidershipin e partive politike dhe krizat politike mund të jenë një fenomen i përhershëm në ambientin politik shqiptar. Ky është risku më i madh i krizës aktuale. Ne duhet të bashkëpunojmë me ndërkombëtarët si në linjë partiake me socialistë evropianë edhe me institucionet ndërkombëtare që asistojnë vendin në sfidat e integrimit. Mendoni se përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe thirrja për këtë e një seance të jashtëzakonshme nga PS do të kishte qenë mundësia më e mirë dhe kauza më e madhe për t'i dhënë fund bojkotit parlamentar?Jo, nuk jam për veprime politike thjesht për të gjetur një alibi, jam për kurajo dhe përgjegjshmëri politike për t'u orientuar nga zgjidhjet e krizave dhe jo nga kriza e përgjithshme e mos parandalimit dhe e mos zgjidhjes së krizave që vetë i krijojmë me qëndrimet tona reciprokisht kategorike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›