E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbaron ndërtimi i kateve të para të spitalit të ri në QSUT

Dje, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", përfundimi i fazës së parë të ndërtimit të spitalit të ri, ka mbledhur titullarët e shëndetësisë shqiptare. Vetëm dy ditë larg zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka përuruar përfundimin e një pjese të godinës së spitalit të ri. Një shirit është prerë edhe për fillimin e punimeve të kësaj godine. Ndërkohë që duket se për çdo fazë të tij do të duhet të inaugurohet me një ceremoni të veçantë. Faza e dytë e ndërtimit të spitalit konsiston në pajisjen me aparatura dhe pajisje hotelerie. Një tjetër ceremoni do të duhet ta shoqërojë edhe këtë fazë. Ndërsa finalja e përfundimit të këtij objekti mendohet se do të kërkojë edhe dy shirita të tjerë. Por për këtë duhet të kalojnë edhe disa kohë derisa të gjenden fondet dhe të fillojë ndërtimi i dy kateve të tjerë, me të cilat do të plotësohet projekti i godinës së spitalit të ri. Por gjithashtu, edhe me pajisjen e tyre për t‘u bërë gati për të pritur e trajtuar pacientët. Ndërkohë që të sëmurët, sipas ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, duhet të hyjnë për Vitin e Ri, në katër katet e para të kësaj godine të re spitalore. Kjo konsiderohet si një sfidë për t‘u arritur në kushtet kur aktualisht janë hapur procedurat tenderuese për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe të hotelerisë.

Investimi

Bëhet fjalë për një investim në total prej 53 milionë euro, nga të cilat rreth 30 milionë janë për ndërtimin e godinës dhe 20 milionë për pajisjen e saj. Ky është financim i përbashkët i qeverisë shqiptare, e cila realizon 37 për qind të investimit, dhe Bankës së Këshillit të Europës me 63 për qind të tij.

Titullarja e Shëndetësisë shqiptare, Anila Godo, ka theksuar dje se "po inspektojmë përfundimin e fazës së parë që ka të bëjë me ndërtimin e katër kateve të parë, përfshirë këtu dhe katin e nëndheshëm, që shkon në vlerën e 21.4 milionë dollarë, nga të cilat 17 milionë të Bankës së Këshillit të Europës dhe 7 milionë të qeverisë shqiptare". Godo ka konfirmuar se është hapur tenderi me 7.3 milionë euro për pajisjen e këtyre kateve të përfunduara. Ajo e ka konsideruar këtë investim si "një standard i fundit europian, që i ofrohet qytetarit shqiptar në shërbimin shëndetësor".

Projekti

Në katin e nëndheshëm të kësaj godine të re spitalore në ambientet e QSUT-së, do të vendoset departamenti i madh i imazherisë. Për këtë shërbim, shefja e Shëndetësisë, Godo, premtoi se do të "mobilohet" me pajisjet më moderne, bashkë me sterilizimin qendror. Në katin e parë të spitalit të ri do të vendoset shërbimi i urgjencës. Lidhur me këtë, ministrja Godo, garantoi se nuk do të ketë më probleme të një ngushtese në periudhë epidemish në repartin e urgjencës, që sipas saj, do të jetë një shërbim urgjence i ofruar me standarde. Në katin e dytë do të vendoset shërbimi i reanimacionit, i cili gjithashtu, premtohet të jetë i një standardi të lartë. Në këtë godinë është parashikuar që të "gjejë strehë" edhe shërbimi i kirurgjisë me 30 shtretër. Por edhe shërbimi i dytë i traumatologjisë, i cili do të funksionojë paralel me homologun e tij, pranë Spitalit Ushtarak.

Faza e dytë

"Tashmë, qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës janë në bisedime për marrëveshjen e fazës e dytë, që do të jenë për të dy katet më lart, te të cilët do të kemi 7 salla me teknologji të lartë operacioni, por do të kemi edhe repartin e hematologjisë", tha dje Godo. Ajo vuri në dukje se bashkë me shërbimet mbështetëse që ofrohen në QSUT, drejtoria ka nisur përgatitjen e stafit, që do të punojnë në to, për shkak të teknologjisë. Kapaciteti i shtretërve në total është 180 për fazën e parë të spitalit, ndërkohë që me fazën e dytë dhe katet që do të shtohen ai pritet të jetë më i madh.

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë u shpreh me optimizëm për futjen e të sëmurëve të parë në spitalin e ri të QSUT-së, për Vitin e Ri. "Për Vitin e Ri mendojmë të fusim në spital të sëmurët e parë. Fundi i vitit duhet të na gjejë duke shtruar të sëmurët e parë në ambientet e spitalit", porositi Godo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›