E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të ringjallen bibliotekat publike në kryeqytet"

Bibliotekat publike në kryeqytet do t‘i nënshtrohen rehabilitimit dhe pasurimit të fondit të tyre. Të kyçura që prej 18 vitesh, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës premtojnë se ato nuk do jenë më relike, por do të përmbajnë kujtimin e shkuar si të tilla. Nisma "Dhuro një libër" për të përhapur dijen përmes librit është duke u shtrirë edhe në bibliotekat publike, konkretisht me dhurimin e 243 librave të rinj për bibliotekën e njësisë bashkiake nr. 9, 241 për atë të njësisë nr. 10 dhe 240 libra për bibliotekën e minibashkisë nr. 8. Në listën e bibliotekave që do të rikonstruktohen, nga Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit dhe Planifikimit bëhet e ditur se është planifikuar ndërhyrja në 7 shtëpi libri, të njësive bashkiake. Nga këto, në 3 biblioteka projekti konsiston pasurimin e fondit të librave dhe për 4 të tjera ndërhyrja parashikon rikonstruksionin dhe rikonceptimin e tyre, si qendra të vogla të komunitetit, pranë çdo minibashkie.

Logjika e institucionit të bashkisë mbështetet në idenë e një pende të artë. "Borgesi e përfytyronte parajsën si një bibliotekë dhe po t‘i shkojmë pas këtij përfytyrimi, gjatë këtyre viteve zallamahie të tranzicionit, shumë nga këto parajsa të vogla që gjendeshin nëpër lagje u kthyen në një ferr të vërtetë dhe pushuan së funksionuari", shprehen përfaqësuesit e bashkisë.

Sipas tyre, pas viteve 2000 është bërë një punë e konsiderueshme për të rikthyer në gjendje funksionale bibliotekat publike, një punë që filloi me gjetjen e dokumentacionit për çdo shtëpi libri dhe ndërhyrjen në to. Tashmë janë gati projektet për rikonstruksionin e disa bibliotekave, aktualisht në gjendje të amortizuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›