E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Muzika më rriti para kohe”

Autori i Lajmit: red.
Nuk vishet më me të zeza, megjithëse në duar vazhdon të mbajë rripa dhe zinxhirë të varur. Dorina Xërxa, këngëtarja “rrokere” nga Gjakova, tregon tjetërsimin që ka përjetuar me muzikën dhe karakterin e saj. “Kanë ndryshuar shumë gjëra, kam ndryshuar edhe unë gjithashtu. Nuk dëgjoj më vetëm muzikë rock, nuk vishem gjithnjë me të zeza dhe nuk jam më natyrë aq e egër sa shfaqesha në fillim. Kjo ndoshta ka ardhur edhe me moshën, e ndiej veten më të rritur tashmë, e kam kaluar adoleshencën”,- pohon Dorina Xërxa, e cila tashmë e ndien veten më të rritur dhe të pavarur. Ka lënë Gjakovën përgjithnjë dhe ky është një vendim që e ka marrë vetë. Jeton e vetme në shtëpi, ndjek shkollën “Petro Nini Luarasi” në Tiranë dhe është krejtësisht e pavarur, megjithëse vetëm 18 vjeç. Për gazetën ajo tregon “sekretet” që kanë sjellë edhe ndryshimin…

Dorina, që në fillimet tuaja, i jeni prezantuar publikut si “rrokere”. Pse pikërisht kjo rrymë, e keni në stilin tuaj apo thjesht ju pëlqen?
Kjo rrymë është muzika ime e preferuar. Jam rritur duke dëgjuar këtë rrymë. Përpos kësaj është pak në stilin e adoleshentëve që të vishen me të zeza, të mbajnë rripa nëpër duar e zinxhirë të varur. Megjithatë, kohët e fundit kam ndryshuar shumë edhe në stil edhe në muzikë.

Nga ka ardhur ky ndryshim? Çfarë ju ka bërë të ndryshoni?
Në fakt kanë ndryshuar shumë gjëra, kam ndryshuar edhe unë gjithashtu. Nuk dëgjoj më vetëm muzikë rock, nuk vishem gjithnjë me të zeza dhe nuk jam më natyrë aq e egër sa shfaqesha në fillim. Kjo ndoshta ka ardhur edhe me moshën, e ndiej veten më të rritur tashmë, e kam kaluar adoleshencën.

Cili është aktiviteti tuaj aktual artistik. Çfarë është duke punuar tashmë Dorina?
Aktualisht punoj tek “E Diell”, jam një nga këngëtaret atje. Gjithashtu këndoj edhe “live” në klube të ndryshme në Tiranë. Megjithatë, u bë gati një muaj që nuk këndoj më “live” dhe kam menduar që t i rikthehem këtë javë muzikës “live”. Përveç kësaj këtë javë kam prezantuar këngën time të re në Top-Fest. Është një këngë e bukur.

Na tregoni pak më hollësisht për këngën tuaj të re. Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët dhe cili është subjekti i këngës?
Kompozimi, teksti dhe orkestrimi i këngës sime të re, e cila titullohet “Ai” është Sokol Marsi. Kënga është e rrymës “pop-rock”. Teksti në fakt flet për një djalë…. dhe për dashurinë.

Çfarë prêt nga ky eveniment apo nga kënga “Ai”?
Shpresoj që kënga të dalë në finale si fillim dhe ndoshta të marrë edhe një çmim. Shpresoj shumë që të vlerësohet kënga nga publiku e të bëhet e njohur, një hit pranveror.

Këndoni “live” në klube ashtu sikurse shumë këngëtarë të tjerë, për ju është pjesë e punës apo sepse ndieni kënaqësi?
Është e vërtetë, u bënë shumë kohë që unë këndoj “live”, janë më shumë se 4 vjet. Është një punë sigurisht, por edhe një sadisfaksion i veçantë. Të këndosh “live” është shumë bukur. Është bukur, sepse je e lirshme të japësh më shumë, të japësh veten tënde. Nëse këndon nëpër “club-e” je e lirshme edhe në muzikën që t i këndon, mund të zgjedhësh preferencat e tua, të përafrueshme edhe me të publikut normalisht, por të këndosh edhe repertorin tënd.

Si e kujtoni daljen tuaj të parë në skenë?
Nuk më kujtohet tamam, sepse kam qenë shumë e vogël në atë kohë 7 apo 8 vjeç. Por kujtoj se ka qenë një eveniment i organizuar nga një organizatë, ku fëmijët do të këndonin dhe kërcenin. Aty jam përballur për herë të parë me publikun.

Dorina, ju keni një zë potent dhe një karakter artistik të mrekullueshëm. Pasioni juaj për muzikën është trashëgimi apo? Si ka lindur ky pasion për këngën?
Unë di që gjithmonë kam kënduar. Prindërit e mi nuk janë këngëtarë, as mami dhe as babai. Por di të them se nga babai më është “imponuar” muzika rock. Kjo pasi ai e dëgjon shumë, kështu edhe unë e dëgjoj shumë këtë rrymë muzikore. Megjithatë, dy vëllezërit e mi kanë një zë fantastik, nga të cilët do të veçoja vëllanë e vogël, i cili është vetëm 11 vjeç dhe ka një zë të mrekullueshëm. Ai është i angazhuar në aktivitete të ndryshme që zhvillohen në Gjakovë.

Dorina, kemi vënë re se megjithë karakterin tuaj shpërthyes në skenë në biseda flisni shumë pak dhe jeni disi e prerë. Këtë e kemi vënë re edhe në diskutime televizive ku keni qenë e ftuar. Si e shpjegoni ju këtë fakt?
Nëse do të isha llafolloge apo oratore do t ia zija vendin Adi Krastës. Ai do të mbetej pa punë, ndërsa unë do të isha në vendin e tij. Në fakt jam një këngëtare. Megjithatë, mund të them se dialekti është një faktor pengues për këtë, pasi në televizion, aty ku më kanë parë në diskutime gjuha duhet të jetë e pastër dhe dialekti ynë ka disa vështirësi në këtë aspekt.

Thatë se keni 4 vjet që këndoni “live”, keni kënduar në Kosovë, por edhe këtu në Tiranë. Ku e ndieni veten më mirë?
“Live” në Kosovë, nuk ka gjë më të bukur. Në Kosovë njerëzit kanë një kulturë më të avancuar lidhur me muzikën rock. Ata e kanë kultivuar këtë kulturë, pasi kanë dëgjuar prej kohësh muzikë rock, me sa di unë këtu në Shqipëri e keni pasur të ndaluar të dëgjoni këtë lloj muzike. Këtu dëgjojnë më shumë muzikë italiane. Dinë më shumë në Kosovë lidhur me grupet, këngët dhe këtë lloj rryme. Ndërsa këtu gjërat ndryshojnë. Në klube nate gjithandej këndohet i njëjti repertor, sepse atë pëlqen publiku, nuk ka larmishmëri. Gjithandej këndohen të njëjtat këngë. Përveç kësaj, Kosova ka shumë instrumentistë dhe këngëtarë dhe publiku në pjesën më të madhe përbëhet nga muzikantë, sepse muzikantë janë një pjesë e madhe e popullsisë.

Shumë nga shqiptarët e Kosovës kanë vështirësi në këndimin e këngëve italiane. Po ju keni?
Oh… po. Kur kam kënduar këngën “Dimmi come”, gjysmën e fjalëve nuk i shqiptoja si duhet. Edhe tek “Ethet e së premtes” kur kam kënduar këtë këngë, melodinë arrita ta realizoja, por tekstin me shumë vështirësi, i ngatërroja fjalët dhe shqiptimin.

Si është jeta juaj në Tiranë?
E vështirë. Jetoj vetëm, pa prindërit është vështirë të jetosh, për më tepër, në këtë moshë. Punoj dhe studioj njëkohësisht, jam në vitin e 4-t në shkollë të mesme.

Si i gjykoni të rinjtë në Tiranë? Çfarë mendimi keni për ta dhe ku ndryshojnë nga rinia e Kosovës?
Të them të drejtën, vajzat nuk më pëlqejnë, pasi edhe në shkollë vishen shumë elegante dhe me taka. Në Kosovë vajzat nuk ngarkohen kaq as me trukun as me veshjen. Jetë nate ka edhe në Kosovë dhe më pëlqen më shumë atje se sa këtu. Bëhet më bukur atje dhe nuk është vetëm të premten dhe të shtunën, por gjithmonë.

Dorina si e përkufizoni veten, karakterin tuaj në jetë?
E qetë, shumë e kujdesshme, e qeshur. Tashmë mund të them se jam më e qetë dhe më e rregullt se më parë. Gjërat i marr më seriozisht. Edhe pse jetoj pa prindërit, bëj një jetë të rregullt, madje më shumë se më parë kur jetoja me ta. Nuk kam qenë e tillë.

Po në skenë si është Dorina?
E qeshur përsëri. Kur këndoj rock e jap gjithë veten time dhe interpretoj me shpirt.

Në “Ethet e së premtes”, spektakël ku jeni lançuar këtu në Shqipëri si këngëtare, keni treguar një karakter “arrogant” në skenë, apo më shumë menefregist….
Në fakt “Ethet” i kam marrë si lojë. Edhe këngët i kam dëgjuar momentin e fundit dhe tekstin gjithashtu atëherë e kam lexuar, pesë minuta përpara se të dilja në skenë. Atë konkurs e kam marrë qetë dhe jam kënaqur shumë. Edhe me jurinë, Fredin, Shpëtimin e të tjerët isha e lirshme dhe shumë e shoqërueshme.

Keni shprehur herë pas here se keni një lidhje dhe një miqësi të veçantë me Flaka Krelanin. Për shkak të karakterit tuaj “rroker”?
Shoqëria ime me Flakën është gjëja më e bukur. Me të kënaqem shumë dhe me zor pres që të takohemi, të dalim, të argëtohemi dhe të qeshim. Me Flakën kemi qenë shoqe që në Gjakovë. Kemi qenë gjithashtu në një ekip basketbolli. Ne flasim gjithmonë megjithëse takohemi pak, se Flaka jeton atje.

Gjakova, vendi nga ju vini dhe Mitrovica gjithashtu shquhet për “rroker”. Shumë këngëtar të kësaj rryme kanë ardhur nga ky qytet…….
E gjithë Kosova është “rrokere”. Adoleshentët, por edhe të rinjtë, janë të gjithë të veshur me të zeza, me rripa nëpër duar, me zinxhirë. Madje, këta grupe takohen me grupe të qyteteve të tjera dhe herë pas here organizojnë “koncerte” apo këndojnë “live” në ndonjë klub nate. Në Gjakovë të gjithë janë këngëtarë dhe instrumentistë. Motivin unë nuk e di, por do të thosha se ka hyrë ajo frymë aty, muzika. Ata kanë kultivuar një kulturë muzikore.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›