E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: 40 % e gjimnazistëve në shkolla profesionale

Autori i Lajmit: red.
Arsimi profesional në Shqipëri pritet të grumbullojë pak nga pak gati 40 % të nxënësve shqiptarë. Të paktën ky është synimi i Ministrisë së Arsimit deri në vitin 2013. Dje në një konferencë të titulluar “Drejt një arsimi dhe formimi profesional tërheqës dhe më pranë botës së punës”, ministri Fatos Beja ka folur gjatë për rëndësinë e shkollave profesionale në vendin tonë. “Arsimi dhe formimi profesional që na ka mbledhur në këtë konferencë përbën një nga synimet prioritare të qeverisë në fushën e arsimit dhe një detyrë shumë të rëndësishme për ministrinë që unë drejtoj. Jo vetëm për shkak të dallimit në raportin arsim profesional-arsim i përgjithshëm që vërehet tradicionalisht në Shqipëri në krahasim me vendet e BE-së, ku ne duam të integrohemi, por edhe për shkak të nevojave të tregut tonë të brendshëm që po na kërkojnë çdo ditë e më tepër t u përgjigjemi. Ne do të këmbëngulim që arsimi profesional të ecë përpara duke kapërcyer traditën e pafavorshme dhe mendësinë e parapëlqimit të arsimit të përgjithshëm nga familjet shqiptare për fëmijët e tyre”, - është shprehur ministri Beja ndër të tjera.
Synimi
Më tej ministri Fatos Beja ka bërë të ditur se synimi është që shkallë-shkallë të arrijmë të tërheqim në arsimin profesional 40% të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm. Për realizimin e këtij objektivi, MASH ka hartuar një program afatmesëm deri në vitin 2013 në të cilin parashikohen një sërë masash mbështetëse. “Në vitin 2008 për të motivuar ndjekjen e shkollave të profilit bujqësor, ne dhamë bursa për të gjithë nxënësit me mesatare mbi notën 8, pavarësisht kritereve ekonomike.
Bursat
Për vitin e 2009 e në vijim, është planifikuar që t u jepen bursa të gjithë nxënësve që do të fillojnë në vitin e parë të këtyre shkollave, pavarësisht kritereve ekonomike dhe notës mesatare”, - deklaroi më tej Beja. Sipas Ministrisë së Arsimit, pritet që në tre vitet e ardhshme të ndërtohen 6 shkolla tekniko-profesionale. Në të njëjtën kohë do të zgjerohen kapacitetet e shkollave ekzistuese, do të përmirësohen e zgjerohen laboratorët, bazat prodhuese e repartet e praktikave profesionale. Po sipas të dhënave nga MASH, në programet zhvillimore të MASH, për periudhën 2009-2013, parashikohet një mbështetje e fuqishme për hapjen e degëve të reja dhe shtrirjen e arsimit profesional të agrobiznesit, sidomos në zonat rurale.
Reformimi i AFP
Ministri Beja deklaroi dje ndër të tjera se “kemi përfunduar dhe së shpejti do të kalojmë për miratim në qeveri e në parlament ndryshimin e ri të ligjit “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën Shqipërisë”. Në këtë mënyrë, në vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale, e cila ka përqasje me atë të shkollave profesionale të vendeve të përparuara evropiane. Kjo strukturë është më fleksibël dhe më e përshtatur me dinamikën e zhvillimit të tregut dhe njëkohësisht lë të hapur mundësinë e vazhdimit të shkollës së lartë. Sistemi i reformuar i AFP bart konceptin e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe mundëson akumulimin, transferimin dhe njohjen e krediteve për arritjet e fituara me forma dhe mënyra të ndryshme, duke u përshtatur gradualisht me standardet dhe nivelet e kualifikimit të pranuara nga Bashkimi Evropian.

Si do të përmirësohen kushtet në shkolla
Zhvillimi cilësor i mësimit ka qenë një tjetër objektiv për MASH. Për përgatitje më të mirë profesionale të nxënësve të shkollave profesionale, i është kushtuar rëndësi furnizimit të shkollave me pajisje e mjete teknologjike si dhe pajisjes së çdo shkolle profesionale me laboratorë kimie, fizike e biologjie. Po ashtu, për t i bërë shkollat profesionale më tërheqëse dhe për zgjerimin e kapaciteteve të tyre, u është kushtuar rëndësi rikonstruksioneve të shkollave si dhe zgjerimit apo ndërtimit të konvikteve, si mbështetje për nxënësit e zonave rurale. Sipas MASH, aktualisht janë në procesin e përfundimit projektet e plan-programeve të AFPT, si për sa i takon kulturës profesionale ashtu dhe asaj të përgjithshme. Në vitin shkollor 2009-2010, kurrikuli i ri zbatohet për vitin parë në të gjithë sistemin. Përgatitja dhe kualifikimi i vijueshëm i specialistëve të AFP. Përgatitja, trajnimi dhe kualifikimi i vijueshëm është një drejtim tjetër i rëndësishëm me ndikim të fuqishëm në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Aktualisht MASH, është në procesin e ngritjes së sistemit të kualifikimit dhe trajnimit të vijueshëm të specialistëve të AFP. “Në Buxhetin tonë Afatmesëm ne kemi mbështetur arritjen e objektivave tona programore për AFP dhe do të përpiqemi që të forcojmë partneritetin edhe në kuadrin e projekteve të ndryshme me financime të huaja për arsimin profesional. Ndërkohë do të zhvillojmë më tej nxitjen e nxënësve nëpërmjet sistemit të bursave dhe të mësuesve e specialistëve nëpërmjet stimujve financiarë. Edukimi profesional ka nevojë për bashkëveprimin e të gjithë aktorëve të interesuar drejtpërdrejt për këtë edukim. Bashkëpunimi me Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale, me pushtetin vendor dhe me biznesin janë të një rëndësie themelore për të garantuar suksesin, përfundoi fjalën e tij ministri i Arsimit, Fatos Beja.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›