E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fshehtat e Mbretërisë së Zogut

Autori i Lajmit: red.
Fakte të reja dhe protagonistë të ndryshëm të periudhës 1912-1939 në Shqipëri vijnë të analizuara dhe të përshkruara nga akademiku Arben Puto në librin “Shqipëria politike 1912-1939”. Ky botim i realizuar prej një pune 6-vjeçare, sjell për lexuesin historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, që nga Ismail Qemali e deri në fundin e Mbretërisë së Zogut, në prill të vitit 1939. I përqendruar në fakte dhe i diferencuar nga versionet zyrtare, autori Arben Puto jep në libër dhe gjykimet e tij mbi rrjedhën e këtyre ngjarjeve historike. Ideja kryesore që e përshkon gjithë veprën është se Pavarësia dhe krijimi i shtetit shqiptar janë produkt i lëvizjes kombëtare shqiptare, por pa mohuar rolin e faktorit ndërkombëtar. I gjendur në duart e lexuesit në një kohë kur diskutohet për rishikimin e Historisë së Shqipërisë dhe të së kaluarës së popullit shqiptar, libri i prof. Putos është vlerësuar si një kontribut dhe shembull se si duhet parë Historia e Popullit Shqiptar nën dritën e të dhënave dhe dokumenteve të reja të pashfaqura më parë. Libri i karakterit historik ka dalë ditët e fundit në treg nga shtëpia botuese “Toena” dhe pritet të prezantohet në datën 2 prill në orën 11:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë.
Mbi përmbajtjen e librit “Shqipëria politike 1912-1939”
Botimi “Shqipëria politike 1912-1939” ka si qëllim të sjellë një histori të parë kryesisht në një optikë politike të Shqipërisë dhe periudhës prej Shpalljes së Pavarësisë më 1912 deri në pushtimin nga Italia fashiste më 1939. Duke trajtuar gjithçka në një këndvështrim të ri të zhveshur nga konkluzionet e arritura më parë, autori shpreson që ky punim i periudhës 1912-1939 të çmohet si një përpjekje për t iu përmbajtur frymës së re të lirisë së krijimtarisë, që nuk imponon interpretime dhe që e lë krijuesin vetëm përballë materialit historik, pa asnjë ndërhyrje. Gjatë shfletimit të librit vihet re një prirje për një theks të veçantë tek aspektet diplomatike të çështjes shqiptare dhe te strukturimi kushtetues e ligjor i shtetit pas rimëkëmbjes së tij. E gjithë periudha që prof. Puto vë në shqyrtim është e ndarë në tri etapa. Etapa e parë është ajo e viteve 1912-1920 kur çështja shqiptare është kryesisht në dorë të faktorit ndërkombëtar. Në të bëjnë pjesë Konferenca e Londrës e Fuqive të Mëdha (1912-1913), vitet e Luftës I Botërore (1914-1918) deri në Shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës (28 Nëntor 1912), si dhe Konferenca e Paqes dhe Lidhja e Kombeve. Etapa e dytë shtrihet në vitet 1920-1924. Kjo është etapa e mbizotërimit të faktorit të brendshëm shqiptar. Ajo fillon me Kongresin e Lushnjës dhe me Luftën e Vlorës (1920), deri në kryengritjen e qershorit 1924 dhe formimin e qeverisë demokratike nën kryesinë e Fan Nolit. Etapa e tretë është ajo e regjimit zogist. Pasi Shqipëria merr formën republikane dhe Ahmet Zogu bëhet president, republika zëvendësohet me monarkinë dhe Zogu e shpall veten Mbret të shqiptarëve me emrin Zog I. Gjatë dhjetë vjetëve të mbretërisë së tij shënohen arritje të rëndësishme në politikën e vendit, por gradualisht i nënshtrohet politikës italiane, derisa arrihet në përfundimin logjik të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në prill 1939.
Kush është akademiku Arben Puto
Arben Puto ka lindur në Gjirokastër në vitin 1924. Ai ka studiuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Moskës, dega e së Drejtës Ndërkombëtare Publike më 1951. Me hapjen e Universitetit të Tiranës, më 1957, ka punuar si pedagog dhe punonjës shkencor në Fakultetin Juridik derisa doli në pension më 1990. Është autor i një numri veprash në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Historisë së Diplomacisë. Ka botuar një varg artikujsh dhe kumtesash në revista të ndryshme brenda vendit dhe të huaja. Ka titullin “profesor” dhe “akademik”. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare, ka mbajtur ligjërata në institucione të ndryshme arsimore dhe shkencore. Në vitin 1988 në Heidelberg (Gjermani) ka kryer kërkime bibliografike dhe ka mbajtur ligjërata mbi probleme të Historisë së Shqipërisë. Në dhjetor 1990 u angazhua në veprimtari shoqërore duke u vënë në krye të organizatës së parë joqeveritare “Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”, më vonë “Komiteti Shqiptar i Helsinkit” (1990-2000). Disa prej veprave të botuara nga ky autor janë:
“Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914”, Tiranë 1978. “Historia diplomatike e çështjes shqiptare”, Tiranë 2003. “Pavarësia shqiptare në tryezat e diplomacisë”, Tiranë 2008. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Tiranë 1984-1987. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës I Botërore”, Tiranë 2001.
“Nëpër analet e diplomacisë angleze (1939-1944), ribotim, Tiranë 2001. “Demokracia e rrethuar (Qeveria e Fan Nolit në marrëdhëniet e jashtme)”, Tiranë 1990. “Historia e Shqipërisë”, vëllimi II (1912-1939), Tiranë 1965 (bashkautor), etj. Gjithashtu prof. Puto ka shkruar për historinë e Shqipërisë dhe në gjuhë të huaj në dy botime në të cilat ai është bashkautor “Histoire de l Albanie des origins à nos jours” , 1974 “History of Albania from the ancient times to the present day”, 1981.

Fishë teknike e librit:
Autori: Arben Puto.
Titulli: Shqipëria politike 1912-1939.
Faqe: 742.
Formati: 70 x 100/16 (16.5 x 24 cm).
ISBN 979-99943-1-467-6.
Çmimi: 2000 lekë (Euro 17).
Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›