E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufijtë, Anastasi: Ankimimi në Kushtetuese bllokon miratimin

 

Ankimimi i partive në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë lë shteg për interpretim. Konstitucionalistja Aurela Anastasi, thotë se kjo çështje mund të lërë shteg për interpretim, pasi asnjë nga 7 firmëtarët, nuk janë deputetë të betuar në Kuvend. Kërkesa pranohet nëse në statutin e të paktën një prej partive ankimuese është e sanksionuar mbrojtja e interesave kombëtare. “Partia politike është një subjekt që mund ta verë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë në lidhje me legjitimitetin e këtij subjekti për të paraqitur këtë kërkesë konkrete shprehet vetë Gjykata Kushtetuese. Është organi kompetent që shqyrton legjitimitetin e subjektit që ve në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Automatikisht, ligji organik i Gjykatës Kushtetuese ka parashikuar pezullimin e procedurave deri në çastin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare”, u shpreh Anastasi. Ndryshe nga praktikat e tjera ligjore, për marrëveshjet ndërkombëtare, ankimimi duhet të bëhet para se ato të ratifikohen në Parlament, pra të marrin vlerë ligjore. “Kushtetuta vetë ka parashikuar një kontroll apriori, përpara ratifikimit për marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo nuk është një procedurë e njëjtë me ligjet e brendshme të vendit, pasi ligjet kontrollohen për pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën vetëm pasi kanë hyrë në fuqi. Pra, vetëm për ligjet e brendshme Kushtetuta ka parashikuar një kontroll të kushtetutshmërisë aposteriori”, vijon Anastasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›