E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufijtë e Shqipërisë janë të sigurt

05/03/2010 Konferenca mbledh për diskutim në Tiranë ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor

Liberalizimi i vizave dhe lufta ndaj krimit, objekte të diskutimeve me rëndësi të veçantë

TIRANË- Mesazhe të fuqishme rreth sigurisë absolute të kufijve shqiptarë dhe rruga e sigurt drejt Evropës, u lëshuan dje në konferencën e shtatë e ministrave të Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me temë “Mbi sigurinë e kufijve”. Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë, teksa forcat e sigurisë kishin garantuar mbarëvajtjen e konferencës që do të vijojë edhe sot. Kryeministri shqiptar Sali Berisha theksoi se “Parlamenti miratoi para tre vitesh dhe rivotoi para dy muajsh, moratoriumin për ndalimin të gjitha skafeve, të cilat të nderuar ministra nuk ishin gjë tjetër veçse industri e mafies, e cila mbillte edhe vdekje përveç fitimeve”. Ndërkaq, ambasadori spanjoll në Shqipëri Montobio e ka cilësuar një arritje të Ballkanit Perëndimor mbajtjen e kësaj konference, ku në thelb trajtohet bashkëpunimi i këtyre vendeve për të luftuar krimin e organizuar, trafikun ndërshtetëror etj. Kryeministri Berisha tha se “Para disa kohësh, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia përfituan nga procesi i liberalizimit të vizave, Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina janë në prag të këtij liberalizimi. Natyrisht ky zhvillim rrit përgjegjësinë tonë ndaj partnerëve tanë në Evropë. Një luftë e përbashkët e krimit të organizuar dhe siguria e kufijve është në përgjegjësinë tonë më të madhe”. Kreu i ekzekutivit e vuri theksin në angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe në miratimin e ligjeve të rëndësishme që, siç tha ai, kanë ulur ndjeshëm numrin e krimeve në vend.

Konferenca, pjesëmarrësit, qëllimi

Aktiviteti organizohet nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë në bashkëpunim me DCAF (Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura). Në konferencën e organizuar tek “Sheratoni” marrin pjesë Lulzim Basha, ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Ivica Daçiç, ministër i Brendshëm i Republikës së Serbisë, Xhevat Buçi, Zv/ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, si dhe ministrat e vendeve të tjera të Ballkanit. Bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë së kufijve është bazuar në programin përkatës të DCAF. Programi i bashkëpunimit është fokusuar në kryerjen e reformave ligjore, forcimin e lidershipit dhe aftësive menaxhuese, kryerjen e analizës së riskut, përmirësimin e kapaciteteve të hetimit dhe investigimit, mbështetjen logjistike dhe kryerjen e trajnimeve të posaçme për policitë kufitare. Ministrat e Brendshëm të pranishëm në konferencë, krahas vlerësimit të tyre mbi progresin e arritur në fushën e sigurisë së kufijve gjatë vitit 2009, paraqitën edhe propozime konkrete për zbatim në funksion të rritjes së nivelit të bashkëpunimit rajonal. Në këtë konferencë u synua të konfirmohet edhe njëherë angazhimi i vendeve të rajonit për të garantuar kufij të sigurt e të kontrolluar dhe njëkohësisht mbështetja për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve.

Berisha: Zhdukëm skafet, luftuam krimin, siguruam kufijtë e vendit

“Forcat e rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, me një vendosmëri e profesionalizëm të lartë, në një hark kohor 18 mujor çmontuan mbi 206 grupe e organizata kriminale, ndaluan, identifikuan, arrestuan, vendosën para ligjit rreth 1000 anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar funksionoi. Zero toleranca është shtylla kryesore mbi të cilën duhet të zbatohet lufta ndaj krimit. Kemi vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer me vendet tuaja dhe jemi të gatshëm të firmosim çdo marrëveshje me vendet tuaja mike dhe me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat i shërbejnë eficiencës së luftës kundër kriminalitetit”, u shpreh Berisha.

Montobio: Ballkani ka bërë hapa para, ju presim në BE

“Ne përballemi me planin e veprimit evropian, atë të doganave dhe të instrumenteve të tjera, çështjet rajonale janë kyçe për BE, në përpjekje për të minimizuar krimin e organizuar. Ju po drejtoni këtë zonë të sigurisë dhe të drejtave themelore, Evropa është shumë e ndërgjegjshme, për hapat që duhet të marrë për Ballkanin Perëndimor, si liberalizimin e vizave dhe futjen në zonën Shengen”,- tha Montobio duke shtuar se, rajoni ka bërë përpjeke të dukshme për të minimizuar krimin e organizuar dhe për këtë BE është koshiente, prandaj edhe dyert e saj do të jenë të hapura për këto shtete. “Evropa është e sigurt që ky rajon ka bërë hapa përpara, jemi të sigurt që ju do të doni ta ndani me ne këtë zhvillim, jam i sigurt që ju presim në Evropë, pra në BE”, – deklaroi Montobio.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›