E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket në ujërat e liqenit të Shkodrës shtetasi, grup pune për gjetjen e tij

05/03/2010 Ngjarja pak javë më parë, u gjend vetëm kushëriri, kishin dalë bashkë për peshk

KOPLIK- Institucioni i nënprefektit të Malësisë së Madhe ka ngritur një grup të gjerë pune për gjetjen e trupit pa jetë të shtetasit 49-vjeçar Agim Kurti, i humbur në ujërat e liqenit të Shkodrës që më datën 11 shkurt të këtij viti. Që pas denoncimit të familjarëve për humbjen e tij, nuk është ndalur kontrolli fillimisht nga forcat e RENEA, që arriti të gjejë vetëm kushëririn e tij, e më pas edhe nga blutë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës. Pavarësisht këtyre kërkimeve policia ende nuk ka mundur të gjejë trupin e shtetasit Agim Kurti. Prej ditësh familjarët e tij u kanë bërë apel strukturave shtetërore për marrjen e masave të tjera që do të ndikonin në gjetjen e shpejtë të njeriut të tyre të dashur. Thirrjes së familjarëve të shtetasit në fjalë i është përgjigjur nënprefekti i Malësisë së Madhe Sytki Ndreqa, i cili ka ngritur grupin e posaçëm të punës për gjetjen e trupit të mbytur në ujërat e liqenit të Shkodrës. Sipas nënprefektit Ndrecaj, tashmë çdo ditë një grup peshkatarësh me varka do të kërkojnë pa ndërprerje në ujërat e liqenit të Shkodrës deri në gjetjen e trupit të 49-vjeçarit Agim Kurtaj. “Si nënprefekt, para dy ditësh kam ngritur dhe grupin e punës, që është i përfaqësuar nga disa institucione të Malësisë së Madhe. Ky grup do të merret me monitorimin dhe ndihmesën për gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit Agim Kurti, të mbytur në shkurt të këtij viti”, theksoi nënprefekti Sytki Ndreca gjatë takimit që pati dje me familjarët e të ndjerit. Pavarësisht se ka rreth 3 javë që ka humbur, përsëri familjarët e Agim Kurtit shprehen se mbeten me shpresa se do gjendet trupi i njeriut të tyre të zemrës. Sipas informacioneve nga policia e Malësisë së Madhe, dy kushërinj Agim Kurti 49 vjeç dhe Kujtim Kurti 39 vjeç janë zhdukur që pasditen e datës 11 shkurt në ujërat e liqenit të Shkodrës. Dy kushërinjtë pasi ishin nisur për të zënë peshk, kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, të cilët duke mos mundur dot të lidheshin as me celular dhe duke parë acarimin e motit e të liqenit kanë lajmëruar policinë. Policia kufitare e rrethit Malësi e Madhe është vënë në kërkim të tyre, ndërkohë që ka kërkuar edhe ndihmën e palës malazeze. Në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe një grup kërkimi dhe shpëtimi nga reparti i RENEA-s, i cili pas disa orë kontrollesh në brigjet e liqenit të Shkodrës ka arritur të gjejë trupin e pajetë të ndjerit prej kushërinjve, shtetasit Kujtim Kurti 39 vjeç. Trupi i tij u gjet në vendin e quajtur grykëderdhja e përroit të Rrjollit në liqen. Më pas vijoi dhe puna për gjetjen e shtetasit Agim Kurti, por deri tani pa rezultat. Dy kushërinjtë Kurti ishin banues në fshatin Kçarë të komunës Gruemirë, rrethi Malësi e Madhe. Kujtim Kurti ishte baba i 4 fëmijëve, dy vajza dhe dy djem, ndërsa Agim Kurti ishte baba i 3 djemve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›