Kufiri Kosove Maqedoni, priten bisedime
Takimi i radhës për ndarjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë do të mbahet më 14-15 prill, ka bërë të ditur gazeta Koha Ditore. Mbajtja e takimit është konfirmuar për këtë gazetë nga zyrtarë të Komisionit kosovarë, të cilët janë shprehur të gatshëm për vazhdimin e dialogut me palën maqedonase. Gjenerali i SHPK-së, Behar Selimi, njëherësh anëtar i Komisionit qeveritar kosovar për demarkacion ka bërë të ditur se komisioni përkatës është duke punuar intensivisht për shqyrtimin e të gjitha dokumenteve që kanë të bëjnë me përcaktimin e vijës kufitare Kosovë-Maqedoni. Ai ka bërë të ditur se në takimin e radhës Komisioni për ndarjen e kufirit do ta ketë të gatshëm projektin e rregullores së punës se si të parashtrohen argumentet për kete ceshtje, për të cilin deri tani është mbajtur vetëm një takim. "Komisioni kosovar ka shumë argumente për ta bindur Komisionin e Maqedonisë, sepse kemi të gjitha dokumentet e nevojshme të cilat argumentojnë se ata hektarë tokë duhet t'u kthehen pronarëve të tyre", ka thënë Selimi. Po ashtu ai është shprehur optimist se çështja e ndarjes se kufirit do të zgjidhet në favor të qytetarëve kosovarë, të cilët prej shume vitesh nuk mund t'i shfrytëzojnë tokat e tyre.
E.D