Kufiri Kosovë-Maqedoni; Topi, mesazh urimi Sejdiut
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e quajti dje marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, si një akt të rëndësishëm politiko-juridik, që ndihmon konsolidimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Topi i dërgoi dje Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes të cilit përshëndet nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe shpreh bindjen "se këto akte të rëndësishme politiko-juridike ndihmojnë pozitivisht frymën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe konsolidimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në ndihmë të proceseve gjithëpërfshirëse integruese, për të cilat vendet tona janë angazhuar". Më 17 tetor Parlamenti i Kosovës miratoi marrëveshjen për vijën e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo marrëveshje, e mbështetur nga autoritetet ndërkombëtare, është cilësuar një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe qëndrueshmërinë në rajon. Miratimi i marrëveshjes u pasua me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.