E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Malaj: Po tentojmë të rrisim mbështetjen antibojkot



Një nga drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Arben Malaj, thotë se grupi i deputetëve që janë kundër bojkotit dhe i disa drejtuesve të tjerë në forume që janë pjesë e lëvizjes, po punojnë që të krijojnë sa më shumë mbështetje në parti për të kundërshtuar rrugën e bojkotit të Kuvendit e të zgjedhjeve. Në një diskutim me miqtë e tij në “Facebook”, Malaj i pyetur se kur do ta thyejnë bojkotin 5 deputetët kundërshtarë, shprehet se “është një diskutim jo i lehtë edhe midis nesh. Natyrshëm të gjithë kemi shqetësime dhe vërejtje për standardet e zgjedhjeve. Por vlerësojmë se opozita parlamentare është më produktive se bojkoti. Nuk duam thjesht të thyejmë një bojkot, por të debatojmë dhe të rrisim mbështetjen që të harmonizojmë më mirë opozitën tonë, të jemi opozitë parlamentare, të mbështesim integrimin e vendit dhe të kërkojmë përmirësimin e standardeve demokratike të zgjedhjeve”. “Ky debat po vazhdon, ne argumentuam pse bojkoti i zgjedhjeve vendore dëmton një forcë politike”, - shton më tej Malaj. Madje, anëtari i kryesisë së PS-së kërkon mbështetje dhe përtej shtëpisë socialiste, duke kërkuar të ketë në krah median dhe shoqërinë civile në këtë aksion për ta kthyer PS-në në Kuvend, në një kohë që kreu i partisë, Edi Rama, e radikalizon çdo ditë gjuhën politike. “Kërkojmë më shumë mbështetje nga politikëbërësit dhe media, dhe më shumë mbështetje nga kolegët tanë. Gjithë angazhimi jonë është vetëm, si PS dhe opozita, të jenë më të efektshme”, - thekson Malaj. Në një analizë të tij për partinë në të cilën aderon prej shumë vitesh dhe është një nga deputetët më aktivë të kësaj partie, Malaj shtron pyetjen “quo vadis?”. “Partia Socialiste është sot në opozitë për një mandat të dytë. Një nga deputetët e Partisë Socialiste u largua nga grupi i saj parlamentar, duke krijuar një parti të re, e cila është një parti parlamentare dhe jo bojkotuese e Parlamentit. E vetmja parti aleate fituese e koalicionit, PBDNJ, është sot në parlament, duke braktisur bojkotin e PS-së. Tri parti aleate që nuk fituan asnjë vend në Parlament kërkojnë që edhe Partia Socialiste të qëndrojë jashtë Parlamentit”, - thotë ai, duke bërë një tablo të asaj çfarë po ndodh. Më tej, sqaron kauzën që përfaqëson dhe opsionin ndryshe për efikasitetin opozitar që sjell Lëvizja për Mendim Ndryshe.

PS kërkon reformë në fushën e drejtësisë

Partia Socialiste shprehu dje shqetësimin për progresin e pakët të vendit në fushën e drejtësisë, duke iu referuar këtu "Progres-Raportit të radhës të KE-së, i bërë i ditur pak ditë më parë. Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një konferencë për shtyp u shpreh se "në Progres-Raportin e radhës të KE-së shprehet qartë progresi i pakët që kanë bërë autoritetet shqiptare në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin”. "Në këtë raport vihet theksi edhe tek ndërhyrjet politike të qeverisë në kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit”, - tha Gjiknuri, duke shtuar se "këto vërejtje janë konfirmimi i vazhdueshëm për atë që opozita shqiptare ka deklaruar vazhdimisht për ushtrim të trysnisë së qeverisë mbi pushtetin e pavarur të drejtësisë".

Gjiknuri tha se "PS e konsideron drejtësinë si garantin e demokracisë dhe kërkon nga gjithë faktorët dhe pushteti në vend, kryesisht nga qeveria, por duke mos lënë mënjanë as Presidentin e Republikës e KLD, që të ushtrojë të gjithë ndikimin e duhur që gjendja në drejtësi të përmirësohet dukshëm".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›