E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, OSBE rrëzon pretendimet e opozitës për manipulim



Nga selia në Vjenë, OSBE-ja rrëzoi dje të gjitha pretendimet e opozitës për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit. Përmes ambasadorit Robert Bosch, OSBE-ja i cilësoi dje të pavërteta dhe të pabaza pretendimet e opozitës, duke i bërë të qartë se zgjedhjet ishin të rregullta dhe për këtë arsye ajo duhet të kthehet në Kuvend. Sipas Bosch, opozita bëhet pikërisht në Parlament. Kreu i pranisë së OSBE në Shqipëri, Robert Bosch, ka përsëritur thirrjen e tij drejtuar Partisë Socialiste për ndërprerje të bojkotit parlamentar, kësaj here nga Vjena, ku ka mbajtur përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së raportin vjetor për zhvillimet kyçe që kanë karakterizuar jetën politike dhe atë ekonomike të Shqipërisë. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në atë që Bosch e cilëson si ngjarjen më të rëndësishme për vendin tonë, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2009-s, ai i ka vlerësuar ato si zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në vendin tonë. Z. Bosch ka raportuar përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së se pjesa më e madhe e pretendimeve të Partisë Socialiste për parregullsi dhe shkelje të vërejtura sipas saj, para dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve kanë rezultuar të pavërteta.

Në raportin e tij prej 13 faqesh, ambasadori bën një përmbledhje të të gjitha zhvillimeve në vend, ku mbi të gjitha përqendrohet tek zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas këtij raporti për punën e OSBE-së, thuhet se zgjedhjet arritën pjesë më të madhe të standardeve të kërkuara. Në këtë raport, Bosch shprehet se u arrit të eliminohet fenomeni i “Dushkut”. “Sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, për të parën herë, lista e zgjedhësve u nxor nga baza e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Me gjithë pretendimet e Partisë Socialiste, partisë më të madhe opozitare, për shumë pasaktësi në këto lista, duket se numri dhe natyra e rasteve të raportuara i hidhnin poshtë këto pretendime. Cilësia e këtyre listave u përmirësua ndjeshëm deri në ditën e zgjedhjeve. Sa u përket dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, procesi i drejtuar nga qeveria për pajisjen e shtetasve me karta identiteti ishte në pjesën më të madhe të tij i suksesshëm. Shqetësimet e PS-së rreth kapaciteteve për prodhimin e një numri të mjaftueshëm kartash ishin në pjesën më të madhe të pabazuara, ashtu sikurse edhe pretendimet e saj për ndërhyrje të Partisë Demokratike (PD) në procesin e kartave të identitetit”, - thuhet në raport.

Bojkoti i opozitës

Ambasadori Bosch raportoi në Vjenë, duke thënë se ende nuk dihet se sa do të zgjasë bojkoti i opozitës. Sipas këtij raporti, kreu i PS-së, Rama, refuzoi ofertën e Kryeministrit Berisha për bashkëpunim. “Më 9 tetor 2009, Kryeministri shprehu publikisht gatishmërinë e tij për të arritur deri diku një kompromis, duke i ofruar PS-së shumicën e anëtarëve të çfarëdolloj komisioni që mund të krijohet për hetimin e zgjedhjeve të qershorit, sipas kërkesës së PS-së, me kusht që të mos shkelej ligji. I vetëdijshëm për faktin se KQZ-ja e kishte mbyllur me konsensus procesin zgjedhor, ai i bëri thirrje PS-së që t’ia paraqiste çfarëdolloj ankese që mund të kishte prokurorisë, si i vetmi organ me kompetencë ligjore për t’u marrë me këtë çështje në këtë fazë. Mirëpo, vetëm pak orë më pas, kryetari i PS-së e hodhi poshtë publikisht ofertën e Kryeministrit, pasi në të nuk përmendej mundësia e hapjes së kutive të fletëve të votimit”, - thuhet në këtë raport, i cili shtoi se PS ashpërsoi qëndrimin duke organizuar protesta, ku sipas OSBE-së, “protesta e parë u mbajt më 10 tetor 2009, përpara Kryeministrisë, me pjesëmarrjen e tre deri në shtatë mijë mbështetësve”. Referuar reagimit të zyrtarëve më të lartë të shtetit, zërave brenda PS-së si dhe aktorëve ndërkombëtarë sipas raportit, “kanë theksuar, në mënyrë të përsëritur, faktin se PS-ja ka përgjegjësinë për t’u kthyer në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si “opozitë konstruktive”, aq më tepër kur ka një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen”.

Pjesë nga raporti i OSBE-së paraqitur në Asamble të Përgjithshme

Bojkoti i opozitës

“Deri tani, PS-ja ka zgjedhur që t’i bojkotojë të gjitha seancat e Kuvendit të ri, pas vendimit që ajo ka marrë për ta kushtëzuar hyrjen e saj në Parlament me plotësimin e disa kushteve të lidhura me procesin zgjedhor, i cili, sipas PS-së, ishte i pandershëm. Deri më sot, nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky bojkot. Më 9 tetor 2009, Kryeministri shprehu publikisht gatishmërinë e tij për të arritur deri diku një kompromis, duke i ofruar PS-së shumicën e anëtarëve të çfarëdolloj komisioni që mund të krijohet për hetimin e zgjedhjeve të qershorit, sipas kërkesës së PS-së, me kusht që të mos shkelej ligji. I vetëdijshëm për faktin se KQZ-ja e kishte mbyllur me konsensus procesin zgjedhor, ai i bëri thirrje PS-së që t’ia paraqiste çfarëdolloj ankese që mund të kishte prokurorisë, si i vetmi organ me kompetencë ligjore për t’u marrë me këtë çështje në këtë fazë. Mirëpo, vetëm pak orë më pas, kryetari i PS-së e hodhi poshtë publikisht ofertën e Kryeministrit, pasi në të nuk përmendej mundësia e hapjes së kutive të fletëve të votimit”.

Shteti i së drejtës

“Sa i përket shtetit të së drejtës, me gjithë përparimet e bëra gjatë vitit të kaluar, ku mund të përmendim përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e gjykatave administrative, si dhe hapat e parë në drejtim të zyrtarizimit të ofrimit të ndihmës ligjore, procesi i reformës gjyqësore nuk ka përfunduar ende. Procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u trajtuar më fuqishëm, si për shembull, korrupsioni në sistemin gjyqësor”.

Antikorrupsioni

“Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma, siç është miratimi i Strategjisë për Parandalimin dhe Luftën ndaj Korrupsionit dhe Qeverisjen Transparente 2007- 2013, si dhe miratimin e një numri të konsiderueshëm ligjesh, në përputhje me legjislacionin e BE-së. Qeveria ka krijuar, gjithashtu, një sistem online për regjistrimin e bizneseve dhe prokurimet. Politika e decentralizimit, që vazhdon në vend, siguron mundësi monitorimi përmes angazhimit të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në nivel vendor”.

Pronësia

“Në fushën e reformës së pronës, investimet dhe huadhënia do të vazhdojnë të hasin pengesa, derisa të garantohet pronësia mbi pronën. Çështja ndërlikohet më tej nga kuadri ligjor, i cili nuk siguron një përkufizim të njësuar të pronësisë. Një shqetësim tjetër përbëjnë edhe kërkesat e ish-pronarëve për kompensim apo kthim. Në një proces të mëparshëm privatizimi, qeveria miratoi një ligj që u lejonte ish-pronarëve të rizotëronin apo të merrnin kompensim për tokën e shpronësuar në mënyrë të paligjshme në regjimin e kaluar”.

Lufta kundër trafikut

“Sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Trafikimin e Personave për vitin 2009, vëren se Shqipëria ka treguar “vullnet më të madh politik për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore”. Në vitin 2008 qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare për Antitrafikimin për vitet 2008–2010, hartuar pas një sërë konsultimesh me palët e interesuara vendase”.

OSBE do të asistojë në regjistrimin e pronave në bregdet

Ambasadori i OSBE-së deklaroi nga Vjena se OSBE do të asistojë qeverinë në regjistrimin e pronave në zonën bregdetare. “Zyra e Kthimit të Pronave të Paluajtshme do të asistohet deri në mesin e vitit tjetër për përfundimin e regjistrimit të pronave të paluajtshme bregdetare. Procesi i regjistrimit siguron një mjet, nëpërmjet të cilit mund të zgjidhen mosmarrëveshjet mbi pronat. Për të ndihmuar në zgjidhjen e kërkesave për kthim apo kompensim pronash, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i është dhënë mbështetje, në mënyrë që ajo të jetë e aftë të përdorë mbështetjen që i është dhënë më parë në fushën e teknologjisë së informacionit për të menaxhuar të dhënat e saj në trajtimin e kërkesave të ndryshme”-thuhet në raport.

Viti 2010, OSBE, optimiste për Shqipërinë

Në raportin e OSBE-së thuhet më tej se viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm për vendin. Sipas këtij raporti, “viti 2010 do të jetë me shumë të ngjarë një tjetër vit i rëndësishëm për aspiratat e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Është hera e parë në historinë e politikës shqiptare që dy parti politike me prejardhje të kundërta ideologjike bashkohen në një koalicion. Në lidhje me planin e integrimit, pritet të shihet një përpjekje e qartë për të ecur përpara me reformat”. Duke folur më tej për të ardhmen, OSBE shprehet se partitë e mëdha kanë të nevojshme një konsensus mes palëve, sidomos në realizimin e kritereve të kërkuara për zgjedhjet e ardhshme. “Kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë; ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv. Pa të, sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve “jo edhe aq të mira”, - thuhet më tej në raport.

SHBA e BE vlerësojnë arritjet e vendit

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të OSBE-së në Vjenë, pas leximit të raportit, reaguan edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një njoftimi të ardhur nga Ministria e Jashtme, SHBA dhe BE vlerësuan arritjet e vendit. “Për të avancuar në rrugën ambicioze të anëtarësimit në BE, të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku dhe të ngrihen përtej politikave të ngushta partiake”, - deklaroi përfaqësuesi i Suedisë në emër të BE-së, në vijim të ndërhyrjes së ambasadorit Bosch. “Zhvillimi i dialogut politik në Parlament është një element kyç i demokracisë”, - thuhet më tej në deklaratën e BE-së dude vijuar: “Ftojmë të gjitha partitë politike në Shqipëri që të zhvillojnë një dialog politik pozitiv”. Në deklaratën e BE-së shprehet kënaqësia për zhvillimet inkurajuese në Shqipëri gjatë vitit 2009 dhe avancimin pa pengesa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Përfaqësuesi i SHBA-ve në OSBE nënvizoi se arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit euroatlantik “përfshirë aderimin në NATO, aplikimin për t’u anëtarësuar në BE dhe përmirësimet e prekshme në zgjedhjet e 28 qershorit” meritojnë vlerësim. “Pavarësisht klimës aktuale ekonomike, - u shpreh përfaqësuesi i SHBA-së, - Shqipëria josh investime të huaja në rritje, ka avancuar në procesin e privatizimit dhe vërehen përmirësime të mëtejshme në klimën e biznesit, siç është theksuar nga Banka Botërore dhe IFC-ja”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›