E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi: Gjysma e grupit parlamentar dëshiron të hyjë në Kuvend



Jo vetëm 5 deputetë që guxojnë ta thonë hapur se janë kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e partisë së tyre, por dhe një numër tjetër i konsiderueshëm deputetësh të tjerë që tani po heshtin, janë gati të hyjnë në Kuvend. Këtë fakt e konfirmon publikisht një nga deputetët kundërshtarë, drejtues i Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Ben Blushi. Duke folur në emisionin “Opinion” në TV Klan Blushi pranoi për herë të parë se ai nuk ka ndërmend t’i bindet pambarimisht bojkotit që ka ndërmarrë Edi Rama, por do të futet në Kuvend, duke mos lejuar që të djegë mandatin që i kanë dhënë zgjedhësit. Ndërkaq, Blushi tha se nuk janë vetëm 5 deputetë që mendojnë këtë gjë, por janë më shumë se gjysma e grupit të ri parlamentar të cilët janë gati të futen në Kuvend, sepse ata nuk duan të djegin mandatin e tyre, sepse ata, sipas tij, besojnë tek institucioni i Kuvendit. “Ky është mendimi i më shumë se gjysmës së grupit parlamentar, kolegë të mi, me të cilët flas shpesh dhe më thonë që ti po na shpëton dhe ne, duke folur dhe më kërkojnë të flas më shpesh, të bëj presion që të ndodhë sa më shpejt hyrja në Kuvend”, - tha Blushi. Ai tha se ky presion nuk po vjen vetëm nga PS po nga një faktor tjetër dhe më i rëndësishëm që është ai evropian, ndërkombëtar. Ndërkaq, ai ka parashikuar se me këtë mënyrë se si Rama po e drejton partinë, ka gjasa të bojkotojë dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, duke e cilësuar këtë si një katastrofë për Partinë Socialiste dhe si një rrugë pa kthim drejt shpërbërjes së saj si parti. Anëtari i kryesisë e ka cilësuar opozitën aktuale ambulante, e cila bëhet, sipas tij, tek kangjellat e Ministrisë së Jashtme apo në trotuar, gjë që ai s’e pranon dot.

Një partie e re?!

Ben Blushi ka pranuar se në këto momente nuk po shtron alternativën e krijimit të një partie të re dhe pse mendon ndryshe nga Edi Rama. Ai tha: “S’kam arsye ta mendoj këtë gjë, pavarësisht se mendoj kundër nga Rama. Por nëse më heqin ose përjashtojnë, do vendos çfarë do bëj me karrierën time politike”. Por duke folur për atë çfarë e ndan atë nga modelet e tre politikanëve që kanë drejtuar politikën e këtyre viteve, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, Blushi pranon se po tenton të ndërtojë modelin e tij politik. “Unë po përpiqem të ndërtoj një model politik se sa do ia arrij kjo s’varet nga unë, se sa efikas do jetë s’e di, do t’i kërkoj ndoshta votat një ditë me këtë model, por këtë s’e them sot”, - tha Blushi. Në këtë kontekst Blushi ka dhënë qëndrimin e tij për atë çfarë duhet të përfaqësojë një parti e majtë, duke dalë kundër politikës së ndjekur nga Rama, sa majtas, sa djathtas. Sipas tij, nuk mund të qëndrohet në lavjerrës, sa majtas-djathtas, por duhet të ketë një program mirëfilli të majtë. Ai ka folur dhe për mundësinë e përfshirjes së Fatos Nanos në PS, duke pranuar se opinionet e tij vazhdojnë të kenë influencë në parti. në këtë pikë ai ka cilësuar një gabim të madh atë çfarë ka bërë Edi Rama, i cili para kongresit e ka cilësuar Nanon si armikun e partisë, duke hequr paralele me Sali Berishën.

Zgjedhjet në parti

Ben Blushi ishte kandidati më i fortë potencial për të marrë kreun e PS-së. Ai tha dje se nuk e ndërmori këtë hap, sepse do të kishte një kosto shumë të lartë për partinë dhe në këtë aspekt ai ka marrë vendim për të frenuar ambicien e tij politike. Për zgjedhjet në parti ka hedhur shumë dyshime, duke thënë se listat e anëtarëve ishin të fryra artificialisht me 15 mijë anëtarë të rinj pas 28 qershorit, se pjesëmarrja ishte më e vogël se ajo që u raportua dhe se një votë 93 për qind për Ramën ishte jo reale. Ndërkaq, Blushi tha se kandidati zyrtar i mbështetur nga Lëvizja Ndryshe, Arben Malaj, u tërhoq sepse iu mohua e drejta për të pasur komisionerët e tij dhe gara u deformua pa nisur akoma.

Edi Rama është një politikan i llastuar

“Edi Rama ka pasur një qeverisje ideale në PS, pasi ne nuk e kushtëzuam, por ai është një politikan i llastuar”. Kështu u shpreh Ben Blushi dje duke folur për kundërshtarin e tij politik brenda partisë. Blushi e ka cilësuar disa herë Ramën të llastuar, duke i kujtuar atij se kur erdhi në PS, ata pranuan çdo kusht të tij vetëm duke i besuar se do t’i sjellë në pushtet. “Ai është një politikan i llastuar që kur nuk është kryetar i PS-së thotë lejoni mendimin ndryshe, ndërsa kur vjen në pushtet, nuk e lejon mendimin ndryshe, i thotë paraardhësit të tij ik se humbe zgjedhjet, por kur i humbet vetë zgjedhjet, nuk ikën, që thotë se do iki nga politika vetëm kur të vij në pushtet. Por kam frikë se do marrë fund llastimi, duke i kushtuar PS-së një kosto shumë të madhe”, - u shpreh Blushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›