Topalli, grave: Kërkoni dënim maksimal për dhunuesit
Kryetarja e Kuvendit kërkon nga gratë e gjithë Shqipërisë që të kërkojnë dënim maksimal për dhunuesit e tyre. Kurse deputetet e PD-së, Bulku dhe Vokshi, u bënë thirrje kolegeve socialiste që të bashkohen në luftën apolitike kundër dhunës, si përfaqësuese në Parlament dhe të vullnetit të shumë grave shqiptare që vuajnë çdo ditë dhunën në familje. Deputetja Albana Vokshi shprehu keqardhjen që lideri i opozitës në mënyrë të trishtueshme po ndalon lirinë e shprehjes dhe të veprimit të deputeteve gra socialiste. Një seancë e posaçme në Kuvendin e Shqipërisë u organizua dje për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare kundër dhunës ndaj grave. Si një fenomen që meriton vëmendje dhe që prek shoqëri të ndryshme në të gjithë botën, dhuna ndaj grave është shndërruar prej kohësh në një nga betejat në mbrojtje të gruas, të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në seancë morën pjesë burra dhe gra të shoqërisë civile, deputetë, politikanë, emra të njohur të artit e kulturës etj. “Stop dhunës! Bashkë kundër dhunës!” Në hapje të seancës, kryetarja e Kuvendit e cilësoi dhunën ndaj grave si një kancer për të gjithë shoqërinë, dhe tha se kjo luftë dhe ajo kundër tumoreve janë beteja të pandalshme si politikane, grua dhe nënë. Kryetarja e Kuvendit tha se dhuna është një fenomen që cënon integritetin e nënave, grave, dhunon dinjitetin njerëzor. "Ai që dhunon familjen, është rrezik tashmë jo vetëm për njerëzit e tij, por është rrezik për popullin e tij. Ai që dhunon nënën e tij, dhunon edhe institucionet. Ai që dhunon këdo që ka rreth tij, ëndërron të dhunojë edhe shtetin”. Kryetarja e Kuvendit siguroi pjesëmarrëset se Parlamenti i Shqipërisë do të jetë vendi ku ato do të gjejnë strehën për mbrojtjen e tyre dhe mbështetjen për të luftuar me guxim e kurajo kundër dhunës. Kryetarja e Kuvendit bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes politikës, shoqërisë civile, policisë, gjykatave dhe pushtetit vendor për të mbrojtur viktimat e dhunës. "Për viktimën nuk ka qenë e lehtë ardhja deri në polici. Trajtojini me zemër. Gjykatat duhet të kenë parasysh se nëse viktimat e dhunës humbin besimin te drejtësia, atëherë e kemi humbur betejën. Aplikoni dënimet e duhura për dhunuesit. Dhuna në familje është një krim dhe duhet trajtuar si i tillë”, - apeloi kryetarja e Kuvendit. Gjatë seancës diskutuan deputetet Rajmonda Bulku e Albana Vokshi, të cilat theksuan se mendësia mashkullore e shoqërisë shqiptare duhet të tejkalohet për një shoqëri me të ardhme pa dhunë. "Në një Shqipëri integruese drejt BE-së, nuk duhet të ketë më vend për dhunë, e cila shumë herë zë fill dhe tek politika e ndonjë lider të saj”, - ishte ky mesazhi politik që deputetet Vokshi e Bulku përcollën në seancën e posaçme parlamentare.