E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Tafaj: Ultimatumi i Ramës, kundër gjithë Shqipërisë



Është dëshmitar okular se ishte banda e Edi Ramës ajo që tentoi në zonën e tij elektorale në Kamëz dhe Paskuqan që të dhunonte qendrat e votimit më 28 qershor. Deputeti i PD-së, që në qeverinë e re “Berisha” gëzon dhe postin e ministrit të Arsimit, z. Myqerem Tafaj, ka fakte konkrete se njerëzit e kreut të PS-së, përmes disa lloj kamerash dhe stilolapsash, hynë në qendrat e votimit, ndërkohë që Kodi Zgjedhor e kishte kategorikisht të ndaluar hyrjen e kandidatëve për deputetë, përjashtuar qendrën e votimit ku duhet të votonin, dhe bënë terror mbi komisionerët e PD-së. Dhe kjo, thjesht dhe vetëm thjesht që të terrorizonin votuesit, të stepnin atë varg të pafund njerëzish që prisnin me padurim të votonin forcën e progresit, PD-në. Ky fakt konkret i shërben z. Tafaj në këtë intervistë për “standard”, që të argumentojë konkretisht akuzat boshe dhe paligjshmërinë e bojkotit të PS-së në Kuvend. Ministri demokrat është i qartë kur thotë se ultimatumet e z. Rama nuk bëhen kundër PD-së, por kundër gjithë Shqipërisë, e cila ka rrjedhë të saktë për t’u integruar në BE, por që Rama po synon që të ndalë këtë rrjedhë, sepse, sipas z. Myqerem Tafaj, ka të ngjarë që z. Rama të jetë pikërisht përfaqësues i këtyre forcave që i tremben shtetit ligjor që kërkon standardi evropian.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Ministër, kohët e fundit, situata politike në vend është tensionuar së tepërmi për shkak të “kutive”. Realisht, ky është problemi...?

Mendoj se viti 2009 ka qenë mjaft i mbarë, nga më të mbarët në historinë e Shqipërisë. Shqipëria u anëtarësua në NATO, bëri zgjedhje sipas standardeve internacionale, krijoi një mazhorancë e cila ka një qasje mjaft të evropianizuar, të deklaruar në programin e saj si “Programi i Shqipërisë Evropiane”. Jam i bindur që është një situatë krejt normale politike, me të vetmin problem të pabazë, atë të mungesës së opozitës në Parlament. Megjithatë, Parlamenti vazhdon me intensitet të plotë të miratojë ligje të rëndësishme që nuk kërkojnë shumica të cilësuara. E theksoj, mungesa e opozitës në Parlament është krejtësisht e pabazë.

Ju përmendni një problem të vetëm, atë të mungesës së opozitës në Kuvend, por është pikërisht ky bojkot që ka degjeneruar deri në ultimatume kërcënuese përballë të cilit mazhorancës i duhet jo vetëm të ruajë qetësinë, por edhe të ofrojë zgjidhje konkrete.

Është një paradoks i vërtetë. Krejtësisht e pakuptueshme se si një parti e madhe opozitare mund të arrijë në një ditë kaq të keqe për të, aq sa t’i shpallë ultimatum Shqipërisë. Nuk është ultimatum për PD-në, nuk është ultimatum për qeverinë “Berisha”, është një ultimatum për Shqipërinë evropiane. Dhe nuk është një koincidencë, atëherë kur Shqipëria merrte ftesën për në NATO, kur Shqipëria pranohej në NATO, Rama protestonte kundër Shqipërisë në NATO. Realisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ai protestonte kundër Shqipërisë në NATO. Sot kur në 16 nëntor Shqipërisë iu hap drita jeshile për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, Rama i bën një ultimatum Shqipërisë që të tërhiqet nga Evropa. Unë nuk e di cilat forca përfaqëson ky zotëri.

Bojkot dhe ultimatume që mund të frenojnë rrugën e Shqipërisë drejt Evropës?

Ka një logjikë, e cila mendoj unë nuk duhet të nënvlerësohet. Zakonisht kur vendet marshojnë me shpejtësi drejt familjes evropiane, mund të jenë dy forca që dalin kundër kësaj rrjedhe, të paktën nga përvoja e vendeve të tjera. Ose janë forca radikale konservatore që nuk duan t’i bashkohen familjes evropiane dhe që mund të jenë edhe të djathta, ose janë forca të tjera, si të majtat autonome, të cilat nuk dinë se çfarë ideologjie kanë, nuk kanë objektiva të qarta, janë thjesht për anarki, thjesht kundër një rrjedhe. Shqipëria ka rrjedhë të saktë për t’u integruar në BE dhe kemi të bëjmë me një ultimatum për të ndaluar këtë rrjedhë. Por ka dhe një qasje tjetër, që mund të jenë forca të cilat i tremben standardeve të BE-së i tremben rregullave të lojës për demokracinë, për politikën, për ligjin, për shtetin ligjor dhe për zhvillimin në përputhje me standardet e BE-së. Ka të ngjarë që Rama të jetë pikërisht përfaqësues i këtyre forcave që i tremben shtetit ligjor që kërkon standardi evropian.

Strategjinë e tanishme të deputetëve të opozitës e quani të të majtëve autonomë?

Unë nuk e konsideroj si strategji të PS-së, kjo është një strategji e liderit të saj z. Rama. Nuk mendoj që PS-ja e Shqipërisë, një parti e madhe opozitare, të ketë një strategji për ta frenuar Shqipërinë për në Evropë. Z. Rama e ka këtë strategji dhe po e shfaq dhe me ultimatume.

... Një koalicion i majtë me individë të mbetur, kështu është realisht?

Nuk mendoj se është një koalicion, sepse janë disa individë që ngjajnë me individë të mbetur pa punë që nuk kanë asnjë votues me vete dhe i bashkohen Ramës, a thua se janë në një kafe. Në fakt, i janë bashkuar përpara tribunës, vetëm përpara kamerave se nuk përfaqësojnë kërkënd. Votuesi, në 28 qershor dha një mesazh shumë të qartë dhe votoi partitë sipas peshës reale që kanë në Shqipëri. Individët që u shfaqën në krah të z. Rama, janë individë që nuk kanë partinë e vet. Po të kishin një të tillë, do të ishin futur në Parlament, por votuesi u dha aq sa e meritonin, i la vetëm.

Si e shikoni dyzimin e deputetëve socialistë midis kërkesës së hapjes së kutive dhe së fundmi, varianti i rinovuar për hetim parlamentar?

Një lëvizje krejtësisht e çorientuar. Kur dëgjoja deklaratën e zëdhënëses, i bëja pyetjen vetes: Çfarë është kjo? Në fakt, që para 2 muajve, që para zgjedhjeve, ne e dinim që kërkesa ishte për të hapur kutitë dhe tani thuhet që jo, ne nuk jemi as për të numëruar e as për të hapur kuti, por jemi për të hetuar zgjedhjet. Çfarë do të hetohet për zgjedhjet? Kjo është thjesht dhe vetëm thjesht tentativë për të goditur vullnetin e sovranit, i cili e shprehu vullnetin e vet plotësisht në 28 qershor. Përcaktoi raportet politike, mbi bazën e tyre u krijua një mazhorancë qeverisëse dhe nuk la vend për negociata. Unë nuk e di si mund të kërkosh negociata për të vënë në dyshim vullnetin e sovranit në një vend anëtar të NATO-s, ndërkohë që zgjedhjet janë certifikuar.

Dhe përballë “betejës” me një opozitë të çorientuar, PD-së i duhet të bëjë zgjedhjet e reja brenda llojit. Cila është situata brenda partisë në pushtet në prag të kongresit të 12 dhjetorit?

Një situatë mjaft e shëndoshë. PD-ja doli nga zgjedhjet e 28 qershorit shumë më e fortë nga ç’ishte, u rikonfirmua në elektoratin shqiptar si një parti që po çon Shqipërinë në BE, që në 4 vitet e mandatit të parë bëri një revolucion të thellë të paparë në të gjitha fushat dhe e nxori Shqipërinë nga balta, nga vendi i shigjetuar për krim të organizuar etj., etj. dhe e çoi në NATO. Shqiptarët e vlerësuan kontributin e PD-së, e votuan edhe një herë Sali Berishën dhe PD-në dhe shprehën vullnetin e tyre duke i dhënë mandatin e dytë për të qeverisur Shqipërinë drejt Evropës.

Lideri demokrat Sali Berisha ka paralajmëruar një lexim të hollësishëm të rezultatit të zgjedhjeve, i cili do të reflektohet edhe në zgjedhjet e strukturave të reja të partisë më 12 dhjetor. Si e konsideroni atë?

Është një deklaratë që kryetari i PD-së dhe Kryeministri Berisha e ka deklaruar që përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, e deklaronte çdo ditë të fushatës së zgjedhjeve, çdo natë kur bënim analizën e ecurisë së fushatës. Është krejtësisht normale që të lexohet rezultati. Unë jam i siguritë që Kryesia e PD-së dhe lideri i partisë do ta lexojnë rezultatin dhe do të kemi një kongres shumë të suksesshëm.

Ka nisur leximi i rezultatit të 28 qershorit?

Në bazë, po. Ne, në të gjitha seksionet po zhvillojmë analizat. Seksionet që kanë humbur, do të rinovohen, pra drejtimi i tyre do të rinovohet. Seksionet që kanë fituar, e kanë arritur objektivin dhe ky proces do të shkojë nga baza deri në majën e piramidës.

Zona juaj zgjedhore, ajo e Kamzës, është një zonë ku u duk qartë përshtatmëria politike. Ju mendoni se kjo do të reflektohet në një post tuajin të ri në PD?

Më ngacmuat për Kamzën dhe Paskuqanin dhe më dhatë mundësinë që të shprehem edhe një herë për nonsensin e plotë të kërkesës së Ramës, të ultimatumit për Shqipërinë në të cilin ai ka përfshirë dhe zonën time elektorale, Kamzën dhe Paskuqanin. Unë mund t’ju them si dëshmitar, si kandidati direkt, pra përfaqësuesi i listës së PD-së që kisha këto dy njësi vendore, se në Kamëz dhe në Paskuqan janë gjithsej 70 qendra votimi dhe nuk jemi afruar në ditën e votimeve, as unë dhe as kandidati tjetër që ishte me mua, në asnjë qendër votimi dhe nuk kam hyrë në asnjë prej tyre. Ndërkohë, banda e z. Rama, me deputetë dhe pa deputetë, tentoi të dhunonte qendrat e votimit që në orën 8-9 të mëngjesit përmes disa lloj kamerash dhe stilolapsash; hynë në qendrat e votimit, ndërkohë që Kodi Zgjedhor e kishte kategorikisht të ndaluar hyrjen e kandidatëve për deputetë, përjashtuar qendrën e votimit ku duhet të votonin, dhe bënë terror mbi komisionerët tanë, thjesht dhe vetëm thjesht që të terrorizonin votuesit, të stepnin atë varg të pafund të njerëzish që prisnin me padurim të votonin forcën e progresit, PD-në.

Kjo strategji vijoi edhe në numërim?

Unë dhe ekipi, në procesin e numërimit, në qendrën e Kamzës dhe atë të Paskuqanit, kemi parë çfarë terrori dhe presioni ka bërë grupi i deputetëve të Ramës. Por, votat në Kamzë, Paskuqan dhe kudo i ka përcaktuar votuesi dhe numërimi ishte krejtësisht korrekt. Asnjë votë nuk ka devijuar nga ajo që ka përcaktuar votuesi. I gjithë pretendimi është jo vetëm dashakeq, por dhe i kobshëm. Dhe e ritheksoj që një kryetar i një partie të madhe të opozitës nuk mund t’i bëjë ultimatum Shqipërisë që ka bërë zgjedhje të standardeve evropiane. Mund t’ju them se nëse do të lexoni progres-raportin e BE-së, zgjedhjet tona, fjalë për fjalë, me presje dhe me pikë, janë të vlerësuara krejtësisht njëlloj si zgjedhjet e Malit të Zi. Keni dëgjuar për ndonjë ultimatum në Mal të Zi? Absolutisht jo. Në Shqipëri Rama i bën ultimatum Shqipërisë që të mos i bashkohet familjes evropiane.

Ju jeni anëtar i Këshillit të PD-së, por me 12 dhjetor do të synoni forumet më të larta të partisë dhe cilin post konkretisht?

Kongresi është një garë, një garë e hapur, ku unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, do të kandidoj edhe për anëtar të Kryesisë së PD-së, kam kandiduar edhe në vitin 2005 dhe do të kandidoj sërish. Në qoftë se më zgjedhin delegatët, do të jem shumë i gëzuar, por edhe nëse nuk më zgjedhin, përsëri do t’u jem mirënjohës dhe do të punoj akoma më shumë që në kongresin tjetër të më zgjedhin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›