Basha informon Mirel: Sistem të modernizuar për kufinjt të sigurtë
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha informoi dje Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të KE-së se deri më tani janë përmbushur pothuajse plotësisht kriteret për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE-në. Ministri Basha i bëri të ditur z. Mirel se të gjitha projektet e financuara nga BE-ja kanë pasur një ecuri pozitive dhe kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme për arritjen e standardeve të kërkuara në shërbimin policor, në administratën publike, modernizimin e sistemit të gjendjes civile, kontrollin kufitar etj. Basha iu përgjigj edhe interesimit të Mirel për nivelin e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se ky bashkëpunim ka shënuar rezultate mjaft të larta në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme e ndërkohë, ka shprehje të vullnetit nga të gjitha vendet e rajonit për të thelluar më tej këtë bashkëpunim. Prioritetin e strukturave policore shqiptare për të goditur me të gjitha mjetet mafien dhe krimin e organizuar, Basha e shprehu edhe në një prononcim për mediat menjëherë pas përfundimit të takimit me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Pierre Mirel. “Duke goditur asetet e mafias plotësojmë edhe më tej objektivin strategjik shqiptar, objektiv i cili është përmbushur në masë më të madhe gjatë katër viteve të shkuara, që është Shqipëria, vendi më armiqësor kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Lufta kundër krimit të organizuar është një histori suksesi në Shqipëri dhe kjo u konstatua edhe javën e kaluar nga Komisioni Evropian. Por ky është një proces në vazhdim në çdo vend duke përfshirë edhe vendet e BE-së apo të zonës euroatlantike, ndaj lufta kundër krimit të organizuar është dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe do të vazhdojë me mjetet e reja ligjore e po ashtu me të gjitha mjetet operative që Policia e Shtetit ka në dispozicion”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Topalli-Mirel: Ligjet, me standardet e BE-së
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi dje Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, ku në qendër të takimit ishte integrimi i Shqipërisë dhe liberalizimi i vizave. Në takim u diskutua për hapat e ndërmarra për miratimin e legjislacionit dhe për reformat në plotësimin e detyrimeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Topalli e njohu z. Mirel me ligjet e miratuara gjatë kësaj periudhe në Parlament dhe me diskutimet e gjera në komisione e në seanca plenare, ndërsa e siguroi atë se progres-raporti i Komisionit Evropian është udhërrëfyes i punës së Parlamentit. "16 nëntori, - tha ajo, - ishte një datë shumë e rëndësishme për shqiptarët, sepse Këshilli i Ministrave të BE-së i tha “po” kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, duke njohur kështu rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe progresin e Shqipërisë”, - tha Topalli e cila falënderoi Komisionin Evropian për gjithë mbështetjen e dhënë Shqipërisë e po ashtu edhe për monitorimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat u cilësuan si zgjedhje që arritën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it. Dy personalitetet diskutuan edhe për vijimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, veçanërisht në përafrimin e legjislacionit dhe për rritjen e kapaciteteve të Parlamentit.
Rama takon Pierre Mirel: Nuk heqim dorë nga kutitë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka pritur në një takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, dhe ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë, z. Helmuth Lohan. Ai ka shfrytëzuar rastin për t’u bërë të qartë përfaqësuesve të lartë të BE-së se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit, pavarësisht kërkesave dhe qëndrimeve të vazhdueshme të evropianëve për një opozitë më konstruktive. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, Rama bëri të qartë në këtë takim qëndrimin e palëkundur në kërkesën për hapjen e kutive. Rama e cilësoi takimin miqësor. “Unë bëra të qartë pozicionin e opozitës. Ne nuk hyjmë në Parlament deri kur të plotësohen të gjitha kushtet, që Parlamenti të konsiderohet legjitim, të konsiderohet demokratik, të konsiderohet vendi ku shqiptarët përfaqësohen drejtësisht dhe ku ato që aprovohen pastaj edhe zbatohen. Ndërkohë, bëra edhe një herë të qartë konceptin tonë të thjeshtë se hapja e kutive është kushti themelor për t’i dhënë Parlamentit legjitimitetin e munguar”, - tha Rama pas takimit.